Në qoftë se nuk merren vesh për të zbatuar atë që vënë në letër katër liderët, Maqedoninë e pret një krizë e thellë, vlerëson njëra nga partitë e koalicionit qeveritar.
Bashkimi Demokratik për Integrim, madje parasheh që në një rast të tillë, pasojat të jenë shumë më të mëdha sesa një krizë politike, e cila po vazhdon të merr vëmendjen e opinionit tash e sa muaj.
Bekim Neziri, që rishtazi është caktuar në krye të shtabit zgjedhor të BDI-së, thotë për televizionin tonë se dështimi i negociatave sjell pasoja katastrofale.
“Kuptohet nëse këto bisedime dështojnë, vendin e pret një izolim politik dhe ekonomik që do ti kushtojë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, dhe jo vetëm atyre por edhe të gjitha subjekteve politike”, tha Bekim Neziri
Ditë më parë, kori diplomatik i akredituar në Shkup bëri me gisht në drejtim të kryeministrit Nikola Gruevski, duke ia kujtuar se nuk po i përmbahet marrëveshjes së Përzhinos, dhe të njëjtin e ftoi që ti zbatojë obligimet që dalin nga ky pakt.
Sipas Nezirit porosia e diplomatëve ishte shumë e qartë, dhe tregon se Maqedonia gjendet në një udhëkryq shumë të rëndë, që mund të bartë pasoja të rënda ekonomike dhe politike.
Për këtë arsye, siç thotë ai për televizionin tonë, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka edhe në opsion edhe largimin nga qeveria, në rast se dështon marrëveshja e Përzhinos.
“Andaj ne si subjekt politik, po ndjekim të gjitha aktivitetet që zhvillohen dhe në rast se bisedimet dështojnë, kuptohet organet kompetente partiake, kryesia qendrore, këshilli i përgjithshëm, do të marrin vendim më tutje a do jemi në qeveri apo s’do të jemi pjesë e kësaj qeverie”, shtoi Bekim Neziri.
Komisioni Evropian pritet të nxjerr javën e ardhshme raportin e progresit për Maqedoninë. Ky afat shihet edhe si mundësi e radhës për hisedarët e Përzhinos që të tejkalojnë dallimet dhe zbatojnë obligimet e dala nga ky pakt, të cilin e nënshkruan më 2 qershor.
