“Bëjeni shkollën ose do t’ju ndëshkojmë në zgjedhje”/ BDI në Sellcë, Shaqiri thotë se punët do të nisin këtë vit

TË FUNDIT

Bashkimi Demokratik për Integrim takimet nën moton “Bashkë për Europë” i vazhdoi në fshatin Sellcë të Tetovës! Këtu u përballën me kërkesat e tyre elementare, shkollë, sallë sporti, ujë të pijshëm dhe rrugë! Nëse këto s’bëhen, një banor, në emër të Bashkësisë Lokale, u tha se BDI-në e pret ndëshkimi nga ky fshat.

 “Sot e 22 vite fshati ynë ju pret e ju përcjellë me të njëjtat kërkesa. Të cilat janë jetike për ne. Nga ky fshat para 22 vite kërkuat bukë dhe ju dhamë, kërkuat të kapim armët ne i kapëm, kërkuat të tërhiqemi ne u tërhoqëm, 22 vite në këtë fshat kërkuat përkrahje politike ne ju dhamë. Kërkuat njerëz me shkollë, se ushtarët se njohin politikën, ne ua dhamë, që të shpërngulen nga fshati dhe ne mbetëm në mjerim të vuajmë edhe sot për kushtet elementare për jetesë. Ju u gëzuat, ne nuk u gëzuam. Ne edhe një herë i kërkojmë këto kushte nga ju, dhe të jeni të bindur që është hera e fundit kjo. Uji i pijshëm për fshatin, rruga që lidh qytetin me fshatin shkolla dhe salla e sportit. Nëse këto kërkesa nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, të jeni të sigurt se banorët e fshatit tonë dinë edhe të dënojnë, siç u dënuan në zgjedhjet e fundit lokale, Bashkësia lokale e fshatit Sellcë”, thotë banori.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri premtoi se këtë vit do të fillojnë punët për shkollën, duke shtuar se kjo shkollë tashmë është në planin qeveritar.

“Komunikojmë me pushtetin lokal, kuptohet që është sjellë edhe plani për ndërtimin e shkollës dhe duhet të lëshohet edhe leja e ndërtimit, por lajmi më i mirë është se javën e ardhshme do të kalojë edhe program në qeveri dhe shkolla e fshatit Sellcë është paraparë në programin e qeverisë, është paraparë në programin e Ministrisë së Arsimit dhe me kompletimin e dokumentacionit unë jam i bindur dhe shpresoj që sa më shpejtë të arrijë dokumentacioni  dhe në vitin 2023 gjithë bashkërisht të fillojnë punimet në shkollën e fshatit Sellcë”, pohoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Nxënësit e kësaj shkolle mësojnë në dy objekte. Njëri objekt është një barakë e ndërtuar në vitet ’60, ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000 por për shkak të konfliktit dhe për shkak rrëshqitjeve të dheut, objekti  mbeti vetëm konstruksion.