BE planifikon të shpenzojë qindra miliona euro vitin e ardhshëm për t’i ndihmuar refugjatët që jetojnë në Turqi

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian planifikon të shpenzojë qindra miliona euro vitin e ardhshëm për t’i ndihmuar refugjatët që jetojnë në Turqi. Shumica e tyre ikën nga lufta civile në Siri.

Komisioni Evropian kumtoi mbrëmë se po zgjeron dy programe, njëri siguron  ndihmë financiare për refugjatët në Turqi për t’i përmbushur nevojat e tyre themelore dhe tjetri siguron mjete për mbështetje të arsimimit të fëmijëve.

Programet vazhdojnë deri në fillim të vitit 2022 me një shumë totale prej 485 milionë euro.

Komisioni kumtoi se ata po sigurojnë para shumë të nevojshme për më shumë se 1.8 milionë refugjatë dhe ndihmojnë në arsimimin e më shumë se 700.000 fëmijëve. Programet menaxhohen nga Gjysmëhëna e Kuqe turke në partneritet me Kryqin e Kuq dhe UNICEF-i.

Paratë nuk shkojnë direkt te qeveria turke.

Turqia është shtëpia e pothuajse katër milionë refugjatëve. Rreth 70 për qind janë gra dhe fëmijë, ndërsa shumica e refugjatëve jetojnë jashtë kampeve të emigrantëve.