Shkrimi i medias nga Brukseli “EU Observer” për nismën për sanksione të mundshme për liberalizimin e vizave për shkak të keqpërdorimit nga disa shtete të caktuara, mes të cilave edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor, ka shqetësuar opinionin në vendin tonë. Nga Qeveria nuk e komentojnë informacionin.
“Qeveria nuk e komenton informacionin e publikuar në media në bazë të dokumenteve joformale dhe të pakonfirmuara”, theksoi Dushko Arsovski – zëdhënës i Qeverisë.
Megjithatë as “EU Observer” e as në dokumentin e brendshëm që doli në opinion, nuk përmendet se Maqedonia është mes vendeve që e ka shkelur regjimin e vizave. Në vërejtjen e përgjithshme të Gjermanisë theksohet se në rast se nuk ka përmirësim, duhet të theksohet se aktivizimi i mekanizmit për suspendim të vizave është opsion real. Më tej theksohet se vendet nga partnerët Lindor si Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina kanë hyrje më të madhe joligjore dhe shkelje të Ligjeve për të huajt, por edhe disa vende nga Ballkani Perëndimor si Shqipëria dhe Serbia. Vetëm Belgjika në vërejtjen e saj e përmend Maqedoninë, ku thuhet se ka pasur rritje relative të numrit të azilkërkuesve por vlerësohet si fenomen i përkohshëm.
Eurokomisarja për Punë të Brendshme, Ilva Xhonson, thotë se është propozuar suspendimi i regjimit pa viza, por jo për Ballkanin Perëndimor.
“Në duar kemi vegël të re në kodeksin e vizave sipas së cilit Komisioni çdo vit vlerëson si vende të treta bashkëpunojnë për ri pranimin dhe nëse këtë nuk e bëjnë, propozojmë sanksione për regjimin e lehtësuar të vizave ndaj këtyre vendeve. Për herë të parë Komisioni prezantoi propozimin këtë verë dhe tani po procedohet në Këshill dhe po presim vendimin në periudhën e ardhshme. Por asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk gjendet në propozimin tonë”, theksoi Ilva Xhonson – Eurokomisare.
BE në dhjetor të vitit 2009 solli vendim ku Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi iu lejua udhëtim i lirë dhe qëndrim në vendet e Unionit pa viza në kohëzgjatje prej 90 ditëve.
