BE ka arritur marrëveshje për vaksinë kundër Kovid-19 me AstraZeneka

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian kumtoi sot se ka pranuar të blejë të paktën 300 milionë doza të një vaksine të mundshme kundër koronavirusit të ri nga AstraZeneka (AstraZeneca).

Ky është furnizimi i parë evropian i vaksinave që është dakorduar paraprakisht, i cili mund t’i minojë planet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për një qasje globale.

Komisioni Evropian, i cili negocion në emër të të gjithë 27 anëtarëve të Unionit, tha që marrëveshja përfshin mundësinë e blerjes së 100 milionë dozave të tjera shtesë nga kompania britanike, nëse vaksina e tyre vërtetohet e sigurt dhe efektive. Marrëveshja e arritur sot vijon pas marrëveshjes së arritur në parim me AstraZeneka në qershor.

Komisioni publikoi që qëllimi i marrëveshjes së tyre të re është financimi i një pjesë të shpenzimeve për prodhimin e vaksinës. Brukseli gjithashtu theksoi se në dy javët e fundit ka biseduar me Xhonson/Xhonson dhe Sanofi, ndërsa në korrik kumtoi se është në bisedime me Fajzer, Moderna dhe KjurVakom.