Bashkimi Evropian ka shtuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov në listën e sanksioneve, tha përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell në një konferencë të premten pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
“Ky është rezultati përfundimtar i diskutimit që nuk përfundoi dje në Këshillin Evropian dhe është vendosur sot nga ambasadorët dhe ministrat”, tha Borrell.
“Pra, presidenti Putin dhe ministri i Jashtëm Lavrov janë në listën e personave të sanksionuar së bashku me anëtarët e mbetur të Dumës që po mbështesin këtë agresion”, shtoi ai.
Borrell tha se të vetmit liderë botërorë që u sanksionuan nga Bashkimi Evropian janë presidenti sirian Bashar al-Assad dhe ai bjellorus Alexander Lukashenko.
“Dhe tani Putini”, shtoi ai.
Putin dhe Lavrov do të jenë subjekt i ngrirjes së aseteve, si pjesë e një pakoje masive të sanksioneve, që liderët e BE-së janë pajtuar gjatë një samiti urgjent të mbajtur pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në sanksionet e BE-së po ashtu përfshihet edhe kufizime ndaj zyrtarëve rusë të përfshirë në vendimin për njohjen si shtete të pavarura të dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur dy runde sanksionesh ndaj Rusisë, që shënjestrojnë sektorin bankar, atë të teknologjisë, por edhe oligarkët.
