Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, në emër të BE-së e nënshkruan Marrëveshjen për tregti dhe bashkëpunim me Britaninë e Madhe (Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut), e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2021.
“Kjo është marrëveshje korrekte dhe e balancuar, e cila tërësisht i mbron interesat themelore të Bashkimit Evropian dhe krijon stabilitet dhe parashikueshmëri për qytetarët dhe kompanitë”, tha Mishel.
Në rastin e njejtë, pala evropiane e ka nënshkruar Marrëveshjen për procedura të sigurisë gjatë këmbimit dhe mbrojtjes së informatave të besueshme me Britaninë e Madhe, si dhe të Marrëveshjes për Bashkësi energjetike bërthamore.
Pas nënshkrimit në Bruksel, të gjitha tri dokumentet, në dy ekzemplarë, shkojnë në Londër, ku do t’i nënshkruajë kryeministri britanik, Boris Xhonson. Nga një kopje të marrëveshjeve të nënshkruara do të ruhet në Londër dhe Bruksel.
Marrëveshja për tregti dhe bashkëpunim nënkupton standarde të përbashkëta kur bëhet fjalë për të drejtat e punëtorëve, e po ashtu edhe shumë obligime sociale, ekologjike dhe tatimore, si dhe konkurrencë korrekte në sferën e ndihmës shtetërore.
Kontekstet e ndërsjella do të zgjidhen me sistem arbitrazh, vendosen kontrolle për mallra që lëvizin mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, do të ndërpritet lëvizja pa viza mes dy palëve, ndërsa kualifikimet profesionale nuk do të njihen automatikisht.
Britania e Madhe më nuk do të merr pjesë në Europol ose Euroxhast dhe do ta humb qasjen deri te sistemi informativ i Shengenit.
Nënshkrimi formal i marrëveshjes, me të cilën rregullohen marrëdhëniet e ardhshme mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, pas afatit kalimtar i cili përfundon më 31 dhjetor 2020, vjen pasi vendet anëtare të BE-27 dje në procedurë me shkrim e kanë miratuar dokumentin, të kontraktuar më 24 dhjetor.
Për shkak të afateve të shkurta dhe pamundësisë që Parlamenti evropian ta japë votën e vet për marrëveshjen me Britaninë e Madhe deri në fund të afatit kalimtar, Komisioni evropian propozoi zbatimin e përkohshëm të saj deri më 28 shkurt të vitit 2021. Parlamenti evropian duhet të votojë për Marrëveshjen për tregti dhe bashkëpunim mes BE dhe Britanisë së Madhe në fillim të vitit 2021.
Si hap të fundit nga ana e BE-së, Këshilli i BE-së duhet të miratojë vendim për lidhjen e Marrëveshjes.
Parlamenti britanik sot do të votojë për Marrëveshjen, ndërsa shumica e deputetëve paralajmëruan se do ta përkrahin dokumentin e kontraktuar./MIA
