Thirrja e kryeprokurores për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskoska për ndihmë nga ambasadat e huaja, sidomos nga BE-ja dhe ShBA-të në mosmarrëveshjen me drejtorin e Policisë Financiare, hasi në vesh të shurdhër nga qendrat diplomatike. Lidhur me kumtesën me shkrim në të cilën ajo pohon se drejtori i Policisë Financiare i ushtron trysni, nga Zyra e BE-së në vend thonë se me shumë vëmendje i ndjekin të gjitha zhvillimet, duke përfshirë edhe përplasjet e ndërsjella publike.
“Zbatimi i sundimit të së drejtës është një prej prioriteteve më të larta për Bashkimin Evropian. Është pjesë thelbësore e klasterit të ardhshëm negociues për “Vlerat themelore”, i cili do të hapet i pari në negociatat aderuese me BE-në. Ligjet ekzistuese të vendit i rregullojnë kompetencat përkatëse të autoriteteve nacionale dhe mënyrat e bashkëpunimit të tyre të ndërsjellë, që duhet të respektohen. Këtë çështje duhet ta zgjidhin organet kompetente.”- thonë nga zyra e BE-së në Shkup.
Me qëndrim të ngjashëm dolën edhe nga Ambasada amerikane në vend. Prej atje thonë se çështjen në fjalë duhet ta zgjidhin organet kompetente.
“Ambasada e ShBA-ve angazhohet për promovimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe mbështet përpjekjet e autoriteteve dhe gjyqësorit për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndërmjet institucioneve dhe brenda tyre. Siç duket kjo çështje është një proces vijues dhe është çështje që duhet ta zgjidhin organet kompetente.”- tha Ambasada e ShBA-ve në RMV.
Ruskoska, këto ditë publikisht kërkoi ndihmë ndërkombëtare dhe u bëri thirrje ambasadave, veçanërisht të ShBA-ve dhe BE-së që t’i ndihmojnë në konfliktin me Muaremin, duke pohuar se merr presione të mëdha nga ai. Nga ana tjetër, Muaremi paralajmëroi se do të ngrejë padi penale kundër Ruskoskës dhe dy prokuroreve të tjera për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, të cilët rreth dy javë më parë kryen bastisje në zyrat e Drejtorisë së Policisë Financiare, në krye të së cilës është Muaremi.