BDI iku nga beteja etnike duke kaluar në një koncept multietnik, tha kreu i Alternativës Afrim Gashi, në hapjen e shtabit në Strugë të koalicionit VLEN.
“BDI si parti kryesore që ka fituar zgjedhje që 22 vite ta braktisë kampin etnik dhe të kalojë në kampin multietnik. Unë mendoj se ka ende betejë në kampin kombëtar shqiptar dhe duhej që në këto zgjedhje të bëhet betejë mes dy koncepteve etnike në kampin shqiptar pozitë-opozitë dhe ajo që fiton ti përfaqësojë shqiptarët”, tha Afrim Gashi , AAA.
Kreu i LD-së Izet Mexhiti theksoi se tani i vetmi tabor shqiptar është ky në të cilin president është Arben Taravari.
“I vetmi tabor shqiptar është ky në të cilin president është Arben Taravari. Mendoj se nëse në 2007 u arrit një marrëveshje që të formohet Qeveri fituesi shqiptarë me fituesin maqedonas, kjo marrëveshje u thye në 2016 dhe mirë që u thye sepse ishte interes strategjik”, tha Izet Mexhiti, LD.
Kryetari i Besës Bilall Ksami tha se kreu integrist Ali Ahmeti e ka humbur komplet kontrollin.
“Aliu si duket e ka humbur komplet kontrollin dhe po thotë që të gjitha komunitetet kishin luftuar në 2001-shin dhe duke ardhur këndej me mikun tim Fatmirin, ai e parashtroi një pyetje shumë logjike, tha shihi kush janë të vrarët, shihi kush janë të plagosurit dhe do ta shihni se kush ka luftuar 2001-shin”, tha Bilall Kasami, BESA.
Arben Taravari, kandidat për president, theksoi se sa herë kur mbahen zgjedhje, BDI-ja zbarkon në Gostivar.
“M’u kujtua Frojdi, Frojdi është një psikolog, neurolog ka qenë por është marrë me psikologji…prej Vjene, një prej studimeve më të mira kanë qenë komplekset. I ka analizuar pse njerëz të caktuar lëvizin vazhdimisht në një vend të caktuar, pse e përdorin një fjalë kaq shpesh, dhe mua m’u kujtua “kompleksi i Gostivarit”. Kryeministri i parë shqiptar i Gostivarit, kryeparlamentari i Gostivarit, kryetari i BFI-së prej Gostivari, të gjitha nënshkrimet e marrëveshjeve në Gostivar, dalë ngadalë në Gostivar do zhvillojmë turizëm politik”, u shpreh Arben Taravari, kandidat për president.
Këtu foli edhe, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Bekim Qoku nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i quajtur figura të parëndësishme politike ata që bëjnë koalicion me BDI-në.
