BDI ultimatum Komunës së Tetovës për emrat e rrugëve! Komuna akuzon për punë gjysmake dhe siguron se do të ketë zgjidhje

TË FUNDIT

BDI, dega në Tetovë, i ka dhënë ultimatum treditorë Komunës së Tetovës për të thirrur seancë urgjente të Këshillit për rimiratimin e vendimit për emrat e rrugëve të qytetit, në të kundërtën, sipas Bajram Rexhepit, do të kalohet në protesta ose do të organizohet referendum.

“Nëse Komuna e Tetovës do të shpreh gatishmëri që të rimiratojë këtë vendim për të thirr një seancë të jashtëzakonshme, do të ketë mbështetjen e plotë të këshilltarëve tanë, por nëse komuna do të refuzojë kërkesën tonë, atëherë do të konsiderojmë se komuna e Tetovës është bashkautorë i këtij vendimi skandaloz të Gjykatës Kushtetuese. Hapat që ne do marrim do i analizojmë ditët në vazhdim dhe nuk përjashtohet as protesta e as thirrja e një referendumi ku gjithë tetovarët do japin mendimin e tyre për këtë temë”, tha Bajram Rexhepi nga BDI.

Nga Komuna e Tetovës thonë se vendimi i Kushtetueses për kthimin e emrave të vjetër është bërë në koordinim me BDI-në. Zëdhënësi Albion Alili shton se BDI i ka lënë punët në gjysmë dhe zotohet se përfaqësuesit aktual të Komunës do t’i zgjidh këto probleme.

“Vendimi i Kushtetueses është i orkestruar pikërisht nga ata për të pasur tensione ndëretnike në vend. BDI pati pushtet 20 vite për t’i rregulluar punët përfshi edhe ndryshimin e emrave të rrugëve shesheve apo institucioneve, por nuk e bënë deri më tani. Një vendim që ata kanë marrë në vitin 2007, nuk e kanë çuar deri në fund sepse është dashur ta miratoj Qeveria”, u shoreh Albion Alili – zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Autoritetet komunale sigurojnë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Komuna do të vazhdojë t’i përdorë emrat shqip, të miratuara në këshillin komunal në vitin 2007. Zotohen se së shpejti komisioni i formuar për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe emërtimin e rrugëve pa emra, do të del me zgjidhje konkrete.