Para selisë së LSDM-së u mblodhën fiks në ora 14:00. Pasi u siguruan se kanë ardhur të gjithë filluan të zënë vendet. Në distancë, me maska dhe nën heshtje aktivistët e lëvizjeve “Unë besoj” dhe “Pse jo” shprehën pakënaqësinë për shkarkimin e Arben Zyberit nga posti i drejtorit të Qendrës së Shëndetit Publik.
Nuk duan kthimin e Zyberit, por thonë se drejtor në vend të Aleksandër Stojanovit mund të emërohet një shqiptar. Protestuan para LSDM-së sepse thonë se vendimi është politik.
“Ne kërkojmë, që edhe pse Arbeni e ka bërë shkrimin në “Fejsbuk” e ka shpreh mendimin e tij. Dhe pyesim se pse nuk u emërua një shqiptar në vendin e tij”, tha Riad Ameti, aktivist i Lëvizjes “Unë Besoj” DHE “Pse Jo”.
Për shkarkimin, pakënaqësi ka shprehur edhe bartësi i njësisë së dytë zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi.
“Prekja e familjes së një kandidati të komunitetit të dytë më të madh në vend, është diçka që kujton regjimet autokratike dhe kohërat e errëta në historinë tonë. Është diçka e egër dhe e papranueshme në një demokraci moderne është gjithashtu një akt diskriminimi”, tha Arbër Ademi, bartës i NJZ 2.
Ziberi nga posti i drejtorit të Qendrës së shëndetit publik u shkarkua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pasi Ziberi në rrjetin social “Fejsbuk” kishte shkruar se ka ndikuar te Komisioni për sëmundje ngjitëse që të largohen masat për kufijtë, që të vijnë mërgimtarët për të votuar për kryeministrin e parë shqiptar të propozuar nga BDI. Filipçe shkarkimin e arsyetoi me ruajten e imazhit të Komisionit.
