BDI hesht për “Merkon non-grata”! Vërshojnë reagimet politike, opozita kërkon llogari dhe dorëheqje

TË FUNDIT

BDI në heshtje që mbrëmë kur u mor vesh që SHBA shpalli person non-grata kryetarin e Strugës Ramiz Merko, i cili është anëtar i kryesisë së kësaj partie. Ndonëse kërkuam qëndrim nga zëdhënësi i partisë Bujar Osmani dhe nga persona të tjerë që janë përgjegjës për komunikim me media, nga asnjëri nuk arritëm të marrim përgjigje. I vetmi që ishte i qasshëm për mediat sot ishte ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, që vjen nga dega e BDI-së në Strugë, e që tha se duhet të pritet reagimi i BDI-së si parti.

 “Do të prisni qëndrimin e BDI-së. Ju e dini se një ndër parimet themelore si një ndër partitë e rralla që është qëndrim i BDI-së, që të kemi proces vetingu për të gjithë funksionarët nga nivelet më të ndryshme”, tha Jeton Shaqiri, BDI.

As vetë Merko zyrtarisht ende nuk është prononcuar për vendimin e Departamentit të Shtetit e as nëse heq dorë ose jo nga posti i kryetarit të Strugës. Sa kaq kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u pyet sot nëse këshilltarët e LSDM-së në Strugë do të vazhdojnë ta mbështesin Merkon.

 “Të mos harrojmë se ai ka qenë kryetar komune për më shumë mandate dhe për shumë mandate ka bashkëpunuar me të gjitha grupet e këshilltarëve në komunë, pa përjashtim. Prandaj duhet të ulen, të mendojnë se si do të vazhdojnë më tutje sepse të gjithë ata janë të zgjedhur nga qytetarët që t’i përmirësojnë dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Kreu i ASh-së Arben Taravari mbrëmë në emisionin “ClickPlus” të TV21, theksoi se Merko duhet të japë dorëheqje ose këtë t’ia kërkojë BDI.

 “Mendoj se ai duhet të jep dorëheqje nëse analizohet aspekti moral, së paku një periudhë të pushon apo partia BDI ta kërkon prej atij që të largohet prej posti dhe të hapet procedurë për të a janë të vërteta këto të cilat i thotë ambasadorja e SHBA-ve”, theksoi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Nga Besa, kryetari i kësaj partie Bilall Kasami tha se shpreson se kjo të jetë pikënisje për pastrim të vendit nga korrupsioni.

“Nëse ka mbetur pak dinjitet te ata njerëz, pak dinjitet te ajo parti politike duhet të bëjnë të pamundurën që sot Ramiz Merko të jap dorëheqje nga aty ku është dhe ku e ka shfrytëzuar për krim dhe korrupsion dhe të kemi një përfaqësues tjetër që do t’i mbroj të drejtat e qytetarëve struganë”, pohoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kërkesën e njëjtë për dorëheqje të Merkos e kanë edhe nga VMRO-DPMNE.

 “Kumtesa më re e Departamentit të Shtetit e konfirmon atë që VMRO-DPMNE e flet për një kohë të gjatë se BDI është strukturë  e kriminalizuar. Vendosja e Ramiz Merkos nga BDI në listën e zezë të BDI-së është vërtetim institucional i të gjitha dyshimeve dhe aferave që i ka publikuar VMRO-DPMNE për kuadrot e BDI-së”, u shpreh Mirçe Axhioski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Nga Alternativa presin që pas pohimeve të Departamentit të Shtetit, Prokuroria Publike dhe MPB-ja të marrin menjëherë masa.

 “Megjithatë, kjo për neve nuk është as risi e as befasi. Ramiz Merko është vetëm një fije në rrjetin e madh të merimangës së korrupsionit që për 20 vjetët e kaluara e ka krijuar BDI-ja. Natyrisht, është për t’u habitur se pse hesht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike. A kaq shumë vlen pushteti që ata njerëz duhet t’u nënshtrohen kushtëzimeve e zhvatjes së çiftit Ahmeti-Grubi”, nënvizoi Zeqirija Ibrahimi, sekretar i përgjithshëm i Alternativës.

Sipas kumtesës të Departamentit të Shtetit, Merko është i përzier në korrupsion të madh dh në mënyrë shtesë është notuar se Merko si kryetar komune ka keqpërdorur fonde dhe është përzier edhe në procedura gjyqësore.