“BDI” edhe si shembull nëpër libra shkollor/ MASH: Ende nuk ka vendim për tërheqje të librit

TË FUNDIT

Në mesin e mijërave shembujve për mësimin e përdorimit të shkurtesave në gjuhën shqipe, në librin për nxënës të klasës së 5-të në mesin e 3-4 shembujve, autori me sa duket ka parapëlqyer shkurtesën për partinë Bashkimi Demokratik për Integrim ose shkurt BDI. Se pse pikërisht kjo, përgjigje kërkuam nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga ku na thanë që mbeten në reagimin e djeshëm që kanë pasur për gabimet që janë hasur edhe në librin e Historisë për klasë të pestë. Përgjegjësinë për gabimet ia lënë Komisionit nacional të teksteve.

“Të gjitha sfidat që janë shfaqur gjatë përgatitjes së tekstit, autorët dhe recensentët duhej t’i kapërcenin me Komisionin nacional të teksteve, i cili është përgjegjës për zbatimin e procedurës për miratimin e teksteve shkollore dhe anëtarët e të cilit në fakt votojnë për të pranuar ose refuzuar një tekst të caktuar shkollor. Në këtë rast, ata vendosën ta pranojnë tekstin shkollor me gabime.”- thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga MASH thonë se sipas ligjit për tekstet për arsim fillor dhe të mesëm mund te bëhen korrigjime të teksteve, ose të tërhiqet i njëjti, për çka duhet te formohet komision, por një vendim i tillë ende nuk është sjell nga ministri Jeton Shaqiri.
Pas kësaj kanë vijuar reagimet opozitare. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kërkojnë që libri të tërhiqet urgjentisht, ndërsa për këtë kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrit Shaqiri.

“Ky është një keqpërdorim skandaloz i teksteve shkollore për propagandë partiake, për indoktrinim të fëmijëve ngjashëm si në kohën e komunizmit, kohën e shokut Tito e shokut Enver. Është një servilizëm i turpshëm i vetë autorit Vehbi Kadriu, babai i ish-kandidatit të BDI-së, Endrin Kadriu i cili më pas u emërua drejtor i Radiodifuzionit. Sa i takon Ministrit për Arsim dhe Shkencë, Jeton Shaqiri, e kemi thënë shumë më herët dhe sot vetëm po e rikonfirmon, se ai është ministër për shkatërrimin e arsimit”- tha Naim Bajrami, zëdhënës i ASH-së.

“I bëjmë thirrje ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, që menjëherë të largojë nga përdorimi këtë libër që fëmijët mos të mësojnë gjëra kaq të shpifura si rasti në fjalë. Si duket ministri i Arsimit ka keqkuptuar reformën në arsim, ai si reformë e sheh politizimin e skajshëm të arsimit duke filluar nga punësimet e deri te tekstet shkollore”- pohoi Faruk Avdiu, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Gjithashtu gjatë ditës së djeshme janë konstatuar edhe disa gabime në librin e Historisë për klasë të pestë në gjuhën maqedonase.