Dega e BDI-së në Tetovë akuzon udhëheqësinë e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” për keqmenaxhim dhe mospagesë të pagave të punëtorëve. Liridon Disha kërkoi nga Ndërmarrja që të dalë me një sqarim publik se pse ka ardhur deri te kjo situatë dhe kur do të bëhet pagesa e mbetur e rrogave dhe e sigurimit shëndetësor.
“Nëse as buxheti prej 60 milionë denarësh për vitin e kaluar nuk mjaftoi për të siguruar pagat bazë të punëtorëve, atëherë sa para do duhet të japin qytetarët e Tetovës që udhëheqësit e komunës të mjaftohen? Ne ngrisim dyshime serioze për rrjedhje fondesh dhe keqmenaxhim sistematik. Prandaj pyesim publikisht kryetarin Bilall Kasami: Në xhepat e kujt përfundojnë paratë publike të NPK-së? A përfundojnë ato në duart e familjarëve, shokëve të partisë apo të të punësuarve fiktivë?”, tha Liridon Disha – BDI.
U përgjigj kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili mohoi se ka vonesa të rrogave.
“Është ironike press konferenca e BDI-së. Për 20 vite pushtet në Tetovë ndërmarrjen komunale e la në gjendje të mjerueshme. Nuk është e vërtetë se punëtorët kanë vonesa, por un do kisha thënë se është i turpshëm reagimi i BDI-së. Në këtë rast nuk ja vlen që unë t’i përgjigjem”, shtoi Bilall Kasami – Kryetar i Komunës Së Tetovës.
Edhe drejtori i ndërmarrjes thotë se nuk ka vonesa të rrogave.
“Me rrogat jemi zero. Edhe në muajin e gjashtë e kanë marr rrogën. Jemi duke punuar për kushtet edhe për kontributet t’i mbulojmë ashtu siç i mbuluam rrogat, ashtu t’i mbulojmë edhe kontributet”, theksoi Samet Bislimi – Drejtor i NPK Tetova.
Komuna e Tetovës çdo vit ka ndarë ka 25 milionë denarë për të mbuluar rrogat e të punësuarve të NPK Tetova, ndërsa në fund të vitit 2024 ndau 60 milionë denarë.