BDI akuzon opozitën për protestat në Tetovë! ASH: Agim, t’u ka trashë zullumi! Pas 27 prillit, t’u shtua edhe 8 shtatori

TË FUNDIT

Kanë kaluar 10 ditë nga tragjedia në Tetovë, ku nga zjarri që përfshiu spitalin modular humbën jetën 14 qytetarë.  Deri sot askush nuk është dënuar për këtë fatkeqësi, ndërsa ende nuk dihet se si u shkaktua zjarri.  Për këtë dje në Tetovë u mbajt protestë. E kjo protestë u bë cak i akuzave mes  dy partive shqiptare, njëra në pushtet tjetra në opozitë.  Nga BDI thonë se protesta është organizuar nga opozita shqiptare.

 “Ne vlerësojmë që qytetarët në përgjithësi në Maqedoni, kanë sensin e duhur kanë edukatën politike për të kuptuar programet zgjedhore dhe çdo tentativë për të keq përdorur tragjedinë e Tetovës.

Sigurisht që ne kemi informacione që edhe protestat e djeshme kanë qenë me instruksione të drejtpërdrejta nga zyrtar të lartë të opozitës shqiptare”, tha Agim Nuhiu nga BDI.

Por pas pohimeve të Nuhiut erdhi reagimi i menjëhershëm nga Aleanca për Shqiptarët.

“Agim Nuhiu, t’u ka trashë zullumi! Pas 27 prillit, t’u shtua edhe 8  shtatori. Agim, e dimë që s’ke dëgjuar për dorëheqjen e as ne gjenin  tuaj politik nuk e keni aplikuar moralin politik e njerëzor. Sot duhet të tregoni deri ku kanë arritur hetimet për djegien e  Spitalit modular në Tetovë, kush do të mbajë përgjegjësi për 14 jetë të djegura në zjarr”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Në protestën e djeshme në Tetovë u kërkua përgjegjësi dhe drejtësi për 14 personat që humbën jetën gjatë zjarrit në spitalin modular.

Protestuesit tentuan të shkonin edhe para selisë së BDI-së në Tetovë, por policia nuk i lejoi, me cka pati edhe një konfrontim mes policisë dhe protestuesve.