Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe shoqata humanitare bamirëse në Kosovë “Nëna Terezë”, kanë nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për përkrahje të përbashkët nga palët për personat e riatdhesuar, që ju takojnë grupeve të cenueshme në procesin e riintegrimit të tyre në shoqëri.
Sipas një njoftimi të MPB-së, shoqata “Nëna Terezë” përmes punëtorëve socialë të saj do të ndihmojë riintegrimin e personave të riatdhesuar që iu takojnë grupeve të cenueshme përmes projekteve humanitare dhe zhvillimore për ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme në vend, varësisht nga fondet në dispozicion nga donatorët e ndryshëm.
Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme do t’ia sigurojë shoqatës, “Nëna Terezë” evidencën e familjeve të riatdhesuara sipas vendbanimeve përkatëse, (fshatrave, qyteteve) me qëllim të konstatimit të gjendjes së tyre sociale.
