Bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën dhe Bullgarinë, vlera e përgjithshme e projekteve është 3.6 milionë euro

TË FUNDIT

Sot u nënshkruan 12 marrëveshje për bashkëfinancim nacional të projekteve të shpërndara përmes Programit IPA ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe Interreg-IPA Programit ndërkufitar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në ngjarjen ku morën pjesë edhe kryetarët e komunave, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale i Maqedonisë së Veriut, Goran Milevski, tregoi se vlera e përgjithshme e projekteve është 3.6 milionë euro.

Rikujtoi se bashkëfinancimi nacional është kusht i detyrueshëm për shfrytëzimin e mjeteve të programit, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nga buxheti i saj do të sigurojë 337 mijë euro për të mbuluar 15% të bashkëfinancimit.


“Tetë projekte do të financohen nga programi për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë ndërsa 4 projekte do të financohen nga programi për bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën. Vlera e përgjithshme e projekteve me Bullgarinë është 2.7 milionë euro ndërsa me Kosovën është 900 mijë euro”, u shpreh Milevski.