Rrinë e qeshin së bashku, por për ndryshimin e Kodit zgjedhor nuk mund të merren vesh. Partitë politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për ndryshimin e Kodit zgjedhor. Arbër Ademi nga BDI thotë se jo gjitha partitë politike janë pro listave të hapura. Shton se debati vazhdon më tutje por se nuk mendon se kjo çështje mund të zgjidhet para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
“Ka qëndrime të cilat në disa pika janë kundërthënëse dhe pikërisht këto kanë frenuar që të kemi një rezultat konkret sa i përket kodit zgjedhor. Prej kujt? Po partitë e ndryshme politike kanë qëndrime të ndryshme qoftë për listat e hapura. Jo të gjitha partitë politike pajtohen për listat e hapura kur flasim për zgjedhjet lokale për këshilltarë komunal. Këtë çështje nuk e kemi tejkaluar që të vazhdojmë më tutje”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Elmi Aziri nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët thonë se disa parti politike kushtëzojnë, andaj nuk mund të gjejnë një kompromis.
“Partitë politike deklarativisht mund të japin përkrahje, por kur vjen momenti i diskutimit, ato kushtëzojnë. P.sh hapjen e listave zgjedhore e kushtëzojnë me ndonjë kërkesë të tyre. Për shembull ka momente kur është kushtëzuar hapja e listave zgjedhore me ndonjë prag të caktuar, kur është kushtëzuar me ndonjë propozim për shembull për një njësi zgjedhore, e kështu me radhë”, u shpreh Elmi Aziri nga ASH.
Nga VMRO-DPMNE thonë se është vonuar ndryshimi i Kodit zgjedhor, pasi kjo duhet të bëhet 6 muaj para zgjedhjeve.
“Kështu siç po funksionon shumica parlamentare mendoj se nuk do të arrihet marrëveshje. Pasi që fillimisht të gjitha organizatat ndërkombëtare OBSE-ODIHR dhe Komisionin i Venecias po dërgojnë mesazh se duhet të lihet hapësirë prej 6 muajsh për çdo ndryshim zgjedhor, që të ketë implementim të duhur dhe vështirë se mund të vijmë deri te kjo”, potencoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Po nga LSDM ende shpresojnë se partitë politike do të gjejnë konsensus.
“Besoj se do të bëjmë konsensus për këtë çështje. Më vjen keq se pak kohë ka mbet nga zgjedhjet lokale por shpresoj se do të gjejmë konsensus përmes një dialogu”, theksoi Lidija Tasevska nga LSDM.
E komisioni Shtetëror Zgjedhor po bën përgatitjet e fundit për zgjedhjet lokale në vend, tregon nënkryetarja Ditmire Shehu.
“Tashmë jemi duke i bërë përgatitjet sa i përket organizimit të zgjedhjeve, jo vetëm në pjesën e identifikimit të votuesve sa i përket gjurmëve të gishtërinjve, por edhe pjesët tjera rrjedhëse edhe pjesa organizative. Ndërsa pjesën politike sa i përket listave të hapura dhe një njësi zgjedhore apo më tepër njësi zgjedhore, ato ua lëmë përfaqësuesve politik”, deklaroi Ditmire Shehu – nënkryetare e KSHZ-së.
Ndryshe organizata joqeveritare “Justice” mblodhi përfaqësuesit e partive politike, organizatat joqeveritare dhe profesorë për të diskutuar për zgjidhjen më adekuate për ndryshimin e Kodit zgjedhor. Në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet më të afërta që na paraprijnë, janë ato lokale në tetor të këtij viti.
