Bashkë-mikpritja e Kampionatit Europian U21, Duka: Sfidë do të jetë Serbia, synimi është të krijohen ura komunikimi

TË FUNDIT

Organizimi i Kampionatit Europian U21 së bahsku me Serbinë, presidenti i FSHF-së, Armend Duka në “Hajde Flasim” në TV21 tha se janë parë gjërat pozitive. Sipas Dukës, nga ky organizim do të promovohen sportistët, do të merren eksperienca organizative, por edhe adhuruesit e futbollit mund të kenë mundësi të shohin yje të ardhshëm të futbollit evropian në  stadiumet e Shqipërisë.

Duka tha se diskutimi është ngritur për shkak të historisë, por sipas tij, futbolli i lidhë njerëzit dhe krijon ura komunikimi.

“Diskutimi është le të themi i historisë mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ngjarjet që kanë ndodhur, që vërtet janë janë të rënda dhe organizimi i një Kampionati evropian nuk e shuan historinë, por përkundrazi tenton që të ndërtojë një të ardhme sa më të mirë dhe mendojmë që futbolli është lojë e cila bashkon njerëzit, i cili krijon ura komunikimi  dhe sjell zhvillime pozitive. Nuk është shumë e lehtë që ta pranosh, por ne duke qenë të bindur që është një zhvillim pozitiv, duke qenë të bindur që i bën mirë gjithë popujt. Dhe në fund fundi unë nuk mendoj që popujt kanë faj edhe kur ndodhin gjëra negative”, tha Duka.

Duka foli edhe për çmimin e biletave në stadiumin e Shqipërisë, që siç tha, do të donte që të ishte pa para, por pa të ardhura është vështirë të ecësh.

“Jo, unë do të dëshiroja në fakt që të ta kishim edhe pa lekë stadiumin. Do isha shumë i lumtur që njerëzit vinin në stadium, mos pagunin asgjë, po në këtë ekonomi që ne kemi zgjedhur të jemi ekonomi i tregut, kjo që ne e mendojmë që është më e mira pa pas ca të ardhura, është e vështirë që të ecësh përpara. Kështu që ne detyrimisht do të vëmë një çmim, nëse do flasim pastaj nga pozicioni i rregullave që ka ekonomia e tregut, përderisa ka shumë kërkesë, çmimi mendoj që është i lirë”, tha Duka