Nuk dihet edhe për sa kohë barrikadat e betonit do të qëndrojnë në rrugën “Cvetan Dimov”. Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, thotë se kjo zgjidhje nuk është e hijshme për banorët e Çairit dhe se aty do të bëjë ndarje moderne, por nuk tregon se kur do t’i largojë dhe se cila është zgjidhja konkrete që ofron.
“Aty do të ketë zgjidhje të plotë, gjithëpërfshirëse, problemi do të zgjidhet për çairasit. Po tani çfarë të ju them, po punojmë për zgjidhjen dhe si ka qenë më parë, kanë premtuar shumë gjatë mandateve. Problemi nuk është zgjidhur. Kjo që po ndodh tani atje, besoj se të gjithë do të pajtoheni me mua, nuk është e hijshme për banorët që jetojnë aty dhe meritojnë një zgjidhje, ku do të jetë një ndarje moderne, ku do të mund në mënyrë më efikase të drejtohen, por para së gjithash të jetë e sigurt për qytetarët që kalojnë aty”, tha Danella Arsovska, kryetarja e Shkupi.
Shilegov kishte planifikuar të bëjë nënkalim, por me këtë për dy vjet do të bllokohej ajo rrugë, tregon kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu. Ai për TV21 tha se gjatë javës së ardhshme do të takohet me Arsovskën për ta definuar zgjidhjen përfundimtare për rrugën “Cvetan Dimov”, duke premtuar se do të përfundojë brenda këtij mandati.
“Kjo rrugë është mëse e vonuar dhe këtu bashkërisht kemi vullnet, është një dëshirë e madhe edhe nga unë dhe zonja Arsovska që në këtë mandat ne me të vërtetë të fillojmë punimet dhe gjatë mandatit të bëhet edhe realizimi i zgjerimit, apo mënyrave tjera të cilat do t’i shohim bashkërisht në të ardhmen, për t’i realizuar”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Kujtojmë se barrikadat e betonit janë vendosur nga ish kryetari i Shkupit Petre Shilegov, me qëllim të rregullimit të komunikacionit, por këtu trafiku vazhdon të jetë i dendur për gjatë gjithë ditës. Arsovska gjatë fushatës zgjedhore premtoi se sa të vijë në pushtet do t’i mënjanojë të njëjtat.
