Banorët në Rripin e Gazës thonë se bombardimet kanë vazhduar gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës, pavarësisht se Izraeli e Hamasi kanë shprehur gatishmërinë për fazën e parë të planit të paqes së presidentit amerikan.
“Pavarësisht thirrjes së Trumpit që Izraeli të ndalojë menjëherë bombardimet, vazhdojnë ende”, ka thënë drejtori i spitalit Al-Shifa, Mohammad Abu Salmiya.
Al-Shifa është spitali më i madh në Gazë.
Banorët në lagjen al-Sabra po ashtu kanë thënë se bombardimet po vazhdojnë, raportoi CNN.
Nga kampi Al-Zawaida refugjatët kanë thënë se sulmet janë ndalur, por se dëgjojnë zhurmat e bombardimeve përreth.
Asem Al-Nabih, zëdhënës në bashkinë e Gazës, ka thënë se sulmet në mëngjes janë më të pakta.
Në një postim në X ai i është drejtuar Donald Trumpit: “Dua që ta dish se edhe pse e ke urdhëruar ndalimin e bombardimeve orë më parë, bombardimet nuk janë ndalur”.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se veriu i Gazës konsiderohet ende “zonë e rrezikshme lufte”.