Banorë të fshatit Strimnicë të komunës së Zhelinës ankohen se kanë problem me ujin e pijshëm.
Me ujin e pijshëm në këtë fshat menaxhon Ndërmarrja Publike e komunës, e cila sipas banorëve, nuk e ka bërë pagesën e rrymës për puset që furnizojnë me ujë këtë vendbanim.
Rrugëdaljen për këtë situatë banorët e kanë kërkuar tek komuna e Zhelinës, ku edhe kërkuan takim me kryetarit Blerim Sejdiu.
“Për ne si qytetarë të fshatit Strimnicë për ne është mëkat, mëkat pasi që shekullin e 21 fshati Strimnicë ngelet pa ujë, para dy apo tre javësh pat ndërprerje dhe tash kush është faji ne nuk e dimë, këtë problem e kishte bashkësia lokale dhe unë kam qenë në bashkësinë lokale dhe pas insistimi këtë e mori komuna. Komuna ka ndërmarrje publike pa punëtorë, e kuptojmë, po pse mos të paguhet rryma ndaj kompanisë EVN dhe komuna është institucion, ne kërkojmë mbështetje dhe këta patjetër duhet të gjejnë zgjidhje”, u shpreh ky banor i Strimnicës.
Kryetari i komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu tha se në orët e pasditës do të lëshohet uji. Sipas kryetarit, ky nuk është faj i komunës por i një numri të madh të qytetarëve të cilët nuk i kanë paguar faturat e ujit ndaj ndërmarrjes publike komunale.
“I njoftojmë qytetarët e Zhelinës dhe Strimnicës se nga sot do të ketë ujë për pije, mirëpo fatkeqësisht masat e rrepta ndaj atyre që nuk do të paguajnë do vazhdojnë. Kërkojmë ndjesë ndaj qytetarëve të cilët janë të rregullt me pagesat”, thonë nga komuna e Zhelinës.
Sipas banorëve, mbi 90% e tyre i paguajnë faturat e ujit dhe mungesa e ujit në këtë kohë kur temperaturat janë të larta është e pakuptueshme. Banorët paralajmërojnë protesta më masive nëse problemi vazhdon.
