Banorët e Rashtakut në hall, të moshuarit kërkojnë rrugë të mira, fëmijët stadium

TË FUNDIT

Më 20 korrik u promovua rikonstruimi i rrugës Butel – Rashtak.

Disa muaj më parë, kjo rrugë ngjalli revoltë te banorët e Rashtakut.

Kishin bllokuar punimet e asfaltimit të rrugës, për shkak se ndjehen të rrezikuar.

Thonë se rruga e cila të shpie deri te shtëpitë e tyre, ka mbetur si në gropë dhe mund të rrezikohen nga vërshimet. Kërkojnë që të asfaltohet edhe kjo rrugë.


“Sot kemi dalë të protestojmë, për shkak se rruga është shtruar 15 kilometra, por kjo rruga ku jemi ne, kemi pengesa. Atje ka hypur lartë, ne kemi mbetur poshtë. Çfarë ka ujë, gjithë uji mblidhet këtu edhe nuk kanë lënë asnjë kanalizim për të dalë uji. Ne kemi dalë dhe i bllokuan punëtorët”, tha një banor.


“Mund të hyjë uji në shtëpia. Fëmijët kur shkojnë në shkollë, bëhet pusetë këtu. Nuk mund të shkojnë as në shkollë fëmija”, u shpreh një banor tjetër.

Pasi panë kamerën e TV21, u afruan inxhinierët që mbikëqyrën punimet e asfaltimit të rrugës. Porositën sasi shtesë të asfaltit.

Banorëve u premtuan, për tre ditë do të asfaltohet edhe kjo rrugë.  

Por ata nuk besojnë, sepse thonë u premtuan edhe shumë gjëra tjera që nuk u realizuan.


“Nëse asfaltohet zgjidhet problemi, mirëpo ne sërish nuk kemi besim, se kanë premtuar se do të ndërtohet edhe stadium, do të vendosin bankina për rrugë, do të vendosin ndriçimin në rrugë, mirëpo asnjë premtim nuk ka”, potencoi një tjetër banor.

Stadiumin më së shumti po e duan fëmijët.


“Pooo… Stadium, stadium…”.

Për të gjitha këto kontaktuam kryetarin e Gazi Babës, Boris Georgievski, por ai ishte i paqasshëm për të dhënë deklaratë.