Ballkani Perëndimor mund të bëhet qendër për prodhimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e energjisë së pastër për pjesën tjetër të Evropës, por për këtë nevojiten lidhje rajonale dhe projekte konkrete. Efikasiteti energjetik dhe përballja me ndryshimet klimatike janë kyçe për rajonin. Këto ishin mesazhet kryesore të politikëbërësve vendorë, evropianë dhe rajonalë në fushën e klimës dhe energjetikës, në ditën e dytë të Forumit Energjetik të Maqedonisë, që po mbahet në Shkup.
“Bashkëpunimi rajonal në sektorin energjetik është me rëndësi kyçe për Ballkanin Perëndimor. Kjo sepse asnjë shtet nuk mund të sigurojë i vetëm furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji. Përmes interkoneksioneve dhe koordinimit rajonal, vendet mund të rrisin sigurinë, të shfrytëzojnë më mirë kapacitetet e rrjetit, të integrojnë më shumë energji të rinovueshme dhe të ulin kostot e përgjithshme të sistemit”, tha Burim Latifi, drejtor I MEPSO-s.
“Nuk mjafton të ketë para, duhet të ketë edhe projekte. Ne si shtet po punojmë në këtë drejtim. Nevojitet kombinim i fondeve publike, kapitalit privat dhe mbështetjes ndërkombëtare”, tha Muhamed Hoxha, ministër i Mjedisit Jetësor.
Me Planin e Rritjes, Ballkani Perëndimor përfiton 6 miliardë euro, ndërsa ky plan është i rëndësishëm për eurointegrimet, tha Orhan Murtezani, këshilltar i kryeministrit për Agjendën Reformuese. Sipas tij, me rëndësi kyçe është fakti që shtylla e parë e planit është përshpejtimi i integrimit rajonal, ndërsa e dyta integrimi në tregun unik të Bashkimit Evropian.
“Agjenda Reformuese për Maqedoninë e Veriut përfshin 136 hapa dhe 750 milionë euro për periudhën 2024-2027. Në këtë rast, shtylla më e rëndësishme e agjendës sonë reformuese është sigurisht energjetika dhe tranzicioni i gjelbër, me një vlerë totale prej 145 milionë eurosh”, tha Orhan Murtezani, këshilltar i kryeministrit për agjendën reformuese.
Krijimi i burimeve të reja të energjisë dhe ruajtja e tyre është një nga çështjet e mëdha për Maqedoninë. Reformat, energjetika, klima, shëndetësia dhe ekonomia janë të gjitha të lidhura me procesin e afrimit drejt Bashkimit Evropian, porositën ambasadorët.
“Maqedonia e Veriut ka një sfidë të madhe, dhe kjo nuk vlen vetëm për energjetikën, klimën dhe mjedisin jetësor, por edhe për proceset reformuese dhe mënyrën se si të ecet përpara. Kjo sfidë është administrata publike, ndërtimi i kapaciteteve dhe rritja e efikasitetit të administratës publike. Mendoj se kjo është thelbësore. Reformat, energjetika, klima, shëndetësia dhe ekonomia janë të gjitha të lidhura me procesin e afrimit drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Martin Pamer, ambasador i Austrisë në vend.
“Maqedonia e Veriut është një vend i mrekullueshëm, me natyrë që të lë pa frymë, por edhe me ajër shumë të ndotur, veçanërisht gjatë dimrit. Duhet të forcohen masat për efikasitetin energjetik, trajtimin e çështjeve klimatike dhe uljen e konsumit të energjisë”, u shpreh Ola Solstrom, ambasadore e Mbretërisë së Suedisë në vend.
Nga forumi dolën edhe përfundime që do të ndikojnë në kontributin rajonal në diskutimet globale për veprimin klimatik, tranzicionin energjetik dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
