Kandidati i Demokratëve, Xhozef Bajden është gjithnjë e më afër fitores në zgjedhjet presidenciale. Para se të korrë fitore në Miçigen, Bajden mbrëmë me fitoren në Viskonsin iu afrua fitores ndaj presidentit aktual dhe kandidatit të republikanëve Donald Tramp. Miçigen, Viskonsin dhe Pensilvani ishin shtetet kyçe në zgjedhjet paraprake në vitin 2016. Në secilin prej tyre, Tramp korri fitore ndaj kandidates së Demokratëve, Hilari Klinton me më pak se 1%.
Bajden deri më tani ka fituar në 22 prej 50 shteteve federale dhe në Distriktin Kolumbi. Ai morri mbi 71 milionë vota – ky është maksimumi në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Rivali i tij, republikani Donald Tramp fitoi në 23 shtete federale. Votuesit nuk votuan drejtpërsëdrejti për 74 vjeçarin Tramp ose 77 vjeçarin Bajden, por zgjedhin elektorë, demokratë ose republikanë të cilët formalisht zgjedhin president në dhjetor, për shkak se ky akt është një formalitet, fituesi dihet menjëherë pas zgjedhjeve.
Kandidati që do të fitojë në një shtet federal i merr të gjitha votat e tij, përveç në Mejn dhe Nebraskë. Kandidatët mund t’i ndajnë votat në Mejn dhe Nebraskë, në varësi prej rezultateve në nivel të Njësisë Zgjedhore në ato shtete.
Ende nuk dihet fituesi në 5 shtete, Pensilvani, Xhorxhi, Karolinë e Veriut, Nevadë dhe Alaskë.Duke pasur parasysh se kandidatit i nevojitet mbështetje nga 270 prej 538 votuesve për të fituar, Bajdeni do të duhet të fitojë vetëm në një prej 5 shteteve për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Tramp i akuzoi Demokratët për vjedhje, pa dhënë prova dhe paralajmëroi se rezultatet do t’i kontestojë para Gjykatës Supreme të SHBA-ve. Presidenti amerikan, dje deklaroi se ka pasur përparësi në shumë shtete kyçe, por shton se ajo ka filluar të “zhduket” në mënyrë magjike.
Ekipi juridik i Presidentit amerikan ka ngritur padi kundër procesit zgjedhor në Pensilvani, Miçigen, Xhorxhi dhe Nevadë, duke kërkuar qasje më të mirë të vëzhguesve të Trampit deri te lokacionet ku numërohen fletëvotimet dhe ku nën pikëpyetje janë votat që kanë arritur përmes Postës.
Ka edhe protesta. Në disa shtete, ku në avantazh është lideri amerikan, protestuesit kërkuan të përfundojë numërimi, kurse në shtetet ku humb – të vazhdojë. Shumë protestues mbanin kapela me logon “Bëjë Amerikën sërish të madhe” dhe parulla me akuza të pabaza për mashtrime zgjedhore. Edhe pse numërimi nuk ka përfunduar, AP dhe mediat e tjera amerikane, duke përfshirë edhe Foks Njuz, e shpallën Bajdenin për fitues./TV21
