Babai vjen nga Austria për ta kërkuar djalin/ Asnjë shenjë nga kumanovari që ra në Vardar

TË FUNDIT

Dita e dytë dhe ende nuk ka asnjë shenjë të 22-vjepçarit nga Kumanova, me iniciale E.R. që dje u aksidentua dhe ra në lumin Vardar afër Zhelinës në Tetovë.  Babai i të riut, Naser Ramadani, ka ardhur nga Austria pasi mori vesh për zhdukjen e të birit, por nuk është i kënaqur nga puna që është duke u bërë deri më tani për kërkimin e tij.

“Unë kam qenë në kurbet Austri, kam dëgjuar në telefon nga vëllai. Për kërkimin jemi të kënaqur zero, prej dje vëllezërit kërkojnë, djemtë e vëllezërve kanë ardhur nga kurbeti por asgjë, nga ora 5 e mëngjesit jemi, nuk ka asgjë. Ka qenë vetë në veturë. Në Tetovë ka qenë se e ka pasur semestrin e fundit këtë vite në sociologji me kry”- tha Naser Ramadani, babai i të zhdukurit.

Nga njësiti zjarrfikës i Tetovës që është kyçur në kërkim bashkë me policinë, thonë se janë duke kërkuar nga orët e mëngjesit, por aksionin po e vështirëson niveli i ujit.

“Është dita e dytë, që nga mëngjesi janë ekipet e NJTKZ, ekipet për Mbrojte dhe Shpëtim dhe policia. Bëjmë përpjekjet tona për ta gjetur eventualisht trupin e viktimës i cili u aksidentua dhe ra në lumin Vardar. Niveli i ujit është i njëjtë me ditën e djeshme dha na i vështirëson edhe më shumë kërkimet për gjetjen e turpit dhe bëhet fjalë vetëm për një person dhe janë bashkë me ne këtu për ta gjetur trupin e të ndjerit.”- deklaroi Avni Ahmeti, komandant i NJTKZ-Tetovë.

Në teren janë edhe banorë të Zhelinës dhe kompani private por kanë kaluar më shumë se 30 orë edhe akoma nuk ka asnjë shenjë nga i riu i cili dje ra në Vardar me makinë të tipi “Golf 4” me targa të Kumanovës. Kur makina u hoq nga uji, në të nuk u gjet askush. Dyshimet janë se atë mund ta ketë marrë rrjedha e lumit, ndërsa mësohet se në veturë nuk ka pasur pasagjerë.