Anëtari i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherë kryetar i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku ka aderuar në partinë Aleanca për Shqiptarët, përcjell TV21. Këtë fillimisht e ka bërë të ditur përmes një publikimi në rrjetet sociale, sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi të përbashkët me Sadikun dhe kreun e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela në ambientet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Sadiku i është bashkuar këtij subjekti politik së bashku me strukturat lokale të Studeniçanit.
“Kryetari i Komunës së Studeniçanit, z.Azem Sadiku, tanimë pjesë e familjes së madhe të Aleancës për Shqiptarët. Bashkë me të u bashkuan edhe strukturat lokale të cilët nuk pranuan pazare me pushtetin aktual. E drejta dhe e pastërta triumfoi!”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndryshe, TV21 më herët kishte paralajmëruar aderimin e Azem Sadikut në Aleancën për Shqiptarët.
