Shumë dokumente personale të cilat janë të përpunuara dhe të gatshme për dorëzim, kanë ngecur nëpër labirintet e Ministrisë së Brendshme dhe nuk mund të gjenden, tregoi avokati i popullit, Naser Zyberi, duke theksuar se edhe ekipi i tij shkon për të ndihmuar MPB-në për të gjetur dokumentet e gatshme. Në brifing me gazetarët, Ziberi tha se qytetarët kanë dorëzuar rreth 50 ankesa deri te Avokati i Popullit sa u përket dokumenteve personale. Përpos pamundësisë për të marrë dokumentet, ankesa ka edhe për pamundësinë për të caktuar termin, por edhe për kthimin e harxhimeve për dokumentet valide.
“Është bërë caktimi i terminit, është kryer fotografimi, është bërë përpunimi, është dhënë leja e dhënies dhe rrinë nëpër depot e MPB-së. Meqë filluan të vijnë ankesat para institucionit të Avokatit të Popullit, ne organizuam ekip i cili shkoi në vendet ku kishim informacion se ndodhen. Insistuam që MPB t’i kërkojë ato dokumente dhe t’u jepen qytetarëve”, tha Naser Zyberi, avokat i popullit.
Problem tjetër që përmendi Zyberi, ishte edhe me adoleshentët të cilët do të mbushin 18 vjet në prag të zgjedhjeve dhe nuk kanë mundësi të nxjerrin letërnjoftim për të votuar në zgjedhje. Gjithashtu, avokati i popullit u ankua se MPB nuk po e zbaton nenin 7 nga ligji për letërnjoftime ku thuhet se personave mbi 65 vjeç duhet t’u jepet letërnjoftim pa afat.
Ministri teknik i punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, së fundmi në emisionin 10 minuta, tha se qytetarët kanë të drejtë të padisin shtetin për kaosin me dokumente dhe është i bindur se do ta fitojnë lëndën, nëse jo këtu, sigurisht se do ta fitojnë para Gjykatës së Strasburgut.
“Çfarë do të ndodhë nëse unë që kam patur dokumente valide me emrin Republika e Maqedonisë dhe përshkak kësaj situate të krijuar, jam detyruar të nxjerrë me emrin “Maqedonia e Veriut” dhe kam paguar mjete shtesë nga buxheti personal për të marë ato dokumente të reja, edhe pse të gjitha dokumentet ishin valide. Çfarë do të ndodhë nëse unë vendosë që t’a padisë shtetin?
100% do ta fitoni kontestin. Edhe po të mos e fitoni në korniza të organeve gjyqësore vendore, unë u garantoj se në Strasburg do ta fitoni, u shpreh Pançe Toshkovski”, ministër i MPB-së.
Përndryshe edhe prokurori i ri publik, Lupço Kocevski, premtoi se Prokuroria Publike do të formojë lëndë për të gjitha denoncimet që do të arrijnë deri te Prokurori Publik dhe nuk do të ketë asnjë selektim lidhur me ndjekjen eventuale të kryerësve të veprave penale.
