AUV konfiskoi dhe shkatërroi 37 ton ushqim! Fasule, arra, lajthi me afat të skaduar 2 vjet më parë

TË FUNDIT

Fasule, lente, spec të kuq, piper, arra, lajthi me afat të skaduar deri në dy vjet… Këtë e kanë konstatuar javën e kaluar inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm tek një operator ushqimor. Janë konfiskuar dhe shkatërruar pa rrezik për shëndetin afërsisht 37 ton ushqim. Bëhet fjalë për sasi të mëdha arrërash, produkte drithërash dhe bishtajore, si dhe erëza të ndryshme, pa etiketa, të cilave u kishte skaduar afati i përdorimit nga një deri në dy vjet – njoftuan nga AUV.

“Në lidhje me produktet drithërore bëhet fjalë për sasi më të madhe fasule dhe lente. Nga erëzat kemi spec të kuq, piper. Arrërat, produktet që janë konfiskuar janë arra dhe lejthi. Gjobë prej 3.500 euro në kundërvlerë në denarë iu është vendosur operatorit dhe ndalim për kryerjen e veprimtarisë për shtatë ditë”, tha Oliver Milanov, Drejtor i AUV.

Kontrolle të jashtëzakonshme të forcuara gjatë javës së kaluar u kryen edhe tek operatorë të tjerë ushqimorë, përfshirë mishtoret, restorante, sanduiçari dhe supermarkete. U konstatuan disa parregullsi, si operatorë ushqimorë të paregjistruar, mungesë e trajnimeve të detyrueshme të punonjësve për sigurinë ushqimore, dhe vendosja në qarkullim e ushqimit të pasigurt.

“Në lidhje me kontrollet e jashtëzakonshme që kryem në mishtoret, gjatë përgatitjes së mishit pa etiketë dhe me afat të skaduar, janë konfiskuar gjithsej 130 kilogramë, përfshirë qebapë, pleskavica dhe qofte”, u shpreh Oliver Milanov, Drejtor i AUV.

Operatorët dhe personat përgjegjës janë gjobitur dhe u janë vendosur ndalime shtesë të përkohshme për kryerjen e veprimtarisë. “Janë dhënë gjithashtu urdhra për largimin e mangësive të konstatuara gjatë kontrolleve, dhe ushqimi i pasigurt që u gjet u shkatërrua pa rrezik”, thanë nga AUV.