Maqedonia e Veriut ka të ndërtuara autostrada me Serbinë dhe Greqinë, por jo edhe me Shqipërinë dhe Kosovën. Për këtë zëvendëskryeministri Artan Grubi mbrëmë në Click Plus fajësoi VMRO-DPMNE-në, e cila sipas tij, me qëllim ka projektuar projekte të pa realizueshme që mos të ndërtohen autostradat Shkup-Qafëthanë dhe Shkup-Prishtinë.
“Dy projekte janë projektuar që të mos bëhen asnjëherë. Projekti i korridorit 8 Shkup-Qafëthanë dhe projekti i korridorit Shkup-Prishtinë. Janë bërë me obstruksione dhe me sabotazhe të qëllimshme të mbajtura nëpër sirtarë dhe të krijuara me qindra probleme që mos të mund të zbatohen në terren”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministri i parë.
“Në 2014 imagjinoni ju, dhe në 2011 akoma ne merreshim me gjykatë kushtetuese e cila abrogonte ligjin për përdorimin e flamurit apo merrej me aminsitimin e ushtarëve të UÇK-së. Merreshim me një VMRO e cila kishte 61 deputetë ose 63 deputetë e cila bashkë me këto estabilishmentet nëpër institucione qëllimisht sabotonte projekte siç është Kërçovë-Ohër“, tha Grubi.
“Del projekti, tani unë nuk jam inxhinier, e merr miratimin e fakultetit të ndërtimtarisë, çuditërisht si e merr ai projekt i parealizueshëm, del në terren, kalon autostrada në mes fshatit Dragomisht, e ndanë fshatin me mes, sikur ta bësh tash autostradën në mes të Çairit”, tha Grubi.
-D.m.th. kjo po i bie se VMRO-DPMNE ja ka luajtur lojën Musa Xhaferit, duke projektuar projekte të pa realizueshme?
“Nuk ja ka bë Musa Xhaferit, por ja ka bë së pari shtetit së dyti shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve tjerë”, tha Grubi
-E pse s’po ua bëjnë juve tash?
“Sepse tani kanë ndryshuar rrethanat. Momentalisht ne drejtojmë NP Rrugët Shtetërore, ne kemi marrë fokus absolut. Si të them, mëngjes, drekë e darkë për mua është korridori Shkup-Bllacë. Gjumë nuk bëj pa u bë kjo rrugë. E kam ëndërr edhe ankth”, pohoi Grubi.
-Mirë është me pas ëndrra. Edhe ne kemi ëndrra, por kur po ju dëgjojmë juve kështu krejt po na duken ëndrra se nuk por realizohen premtimet.
Grubi tani tha se nëse shkon gjithçka si duhet, punimet për korridorin 8 do të fillojnë në mars të vitit të ardhshëm dhe se do të ketë punë për shumë kompani.
