Autostrada Tetovë-Gostivar pritet të përfundojë deri në 2028-tën! Nikolloski paralajmëron edhe lidhje të re hekurudhore me Shqipërinë

TË FUNDIT

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, paralajmëron përparim të shpejtë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Gjatë inspektimit të punimeve në një rrugë lokale në Tetovë, premtoi se vitin e ardhshëm do të jenë gati kilometrat e para të autostradës Tetovë-Gostivar, projekt, që sipas tij, pritet të përfundojë plotësisht deri në vitin 2028.

“Kemi ecuri të mirë nga ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar. Kjo është një autostradë që e filloi kjo qeveri. Janë zgjidhur të gjitha çështjet që lidhen me shpronësimin, ndërsa tani po zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me dislokimin e rrjeteve të ujësjellësit. Dhe nëse vazhdojmë me këtë dinamikë, që vitin e ardhshëm do të shohim kilometrat e parë të përfunduar, ndërsa deri në fund të vitit 2028 do të jetë tërësisht e përfunduar autostrada nga Tetova deri në Gostivar”, tha Aleksandar Nikolloski, ministër I Transportit .

Përveç rrjetit rrugor, ministri i Transportit njoftoi se tashmë po punohet intensivisht edhe për lidhjen e re hekurudhore. Sipas tij, vitin e ardhshëm do të nisin punët konkrete në terren për projektin e hekurudhës që do të nisë nga Shkupi e Tetova, për t’u lidhur në fazën finale me Republikën e Shqipërisë.

“Tashmë po punojmë intensivisht në dokumentacionin për lidhjen hekurudhore të Shkupit me Tetovën dhe Gostivarin në fazën e parë, në fazën e dytë edhe me Kërçovën, dhe në fazën e tretë me Ohrin, Strugën dhe Republikën e Shqipërisë. Ideja ime, nëse dëshironi edhe një lloj ëndrre, është që të krijojmë trena ndërqytetës, diçka që do ta shkarkojë shumë komunikacionin, do ta zvogëlojë rrëmujën dhe do ta zvogëlojë ndotjen”, u shpreh Aleksandar Nikolloski, ministër I Transportit .

Nikollovski tha se shpreson që për këtë projekt, vitin e ardhshëm të shihen punët e para konkrete.

Sa i përket Korridorit 8 dhe lidhja me Shqipërinë, sipas Nikoloskit, kjo tashmë është një gjë e sigurt, por me UNENCO-n do të përcaktohet nëse lidhje do të bëhet një kilometër më këtej apo më andej.