Një autobus është përmbysur mëngjesin e sotëm në një rrugë pranë kufirit bullgaro-turk, në rajonin e Mallo Tërnovos, ka njoftuar kryetari i komunës, Ilijan Jançev për BTA.
Sipas tij, në aksident kanë humbur jetën të paktën dy persona.
Autobusi fillimisht është ndalur në rrugë për shkak të mungesës së karburantit, më pas është kthyer mbrapa dhe është përmbysur.
Të gjithë të lënduarit janë nxjerrë nga autobusi. Dhjetë prej tyre janë dërguar në Qendrën për ndihmë urgjente mjekësore në Mallo Tërnovo, ndërsa gjashtë me lëndime më të rënda janë transferuar në spitalet e Burgasit.
Në vendngjarje kanë dalë ekipet policore.
Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, pak para orës 7, në drejtim të Turqisë.
Në autobus ndodheshin 39 shtetas ukrainas – 37 pasagjerë dhe dy shoferë, ka njoftuar Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Brendshme në Burgas.
