Atmosferë e tensionuar në Komisionin për Onkologjinë! Milloshovski thotë se Filipçe është përgjegjës, LSDM akuzon për politizim

TË FUNDIT

Debat i nxehtë mes anëtarëve të Komisionit Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë. Që në fillim të vazhdimit të debatit atmosfera u ashpërua pasi që Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE drejtpërdrejtë e përmendi ish ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe si përgjegjës për këtë skandal.

“Përgjegjësia objektive politike e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, asokohe si ministër aktual bazohet në nenin 295 të Ligjit për mbrojtje shëndetësore ku ai është dashur që të kryej mbikëqyrje mbi ligjshmërinë e punës së institucioneve shëndetësore, ndërsa për fat të keq ministri i shëndetësisë nuk ka kryer këtë mbikëqyrje dhe me këtë bart përgjegjësi politike për moskryerjen e mbikëqyrjes me çka është mundësuar që të ndodh ky skandal”, tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Vlerësimi i tillë i Milloshovskit shkaktoi seri reagimesh te deputetët e shumicës, të cilët në replikën e tyre vlerësuan se në këtë mënyrë keqpërdoret Komisioni për qëllime politike. Konkluzionet për përgjegjësi politike do t’i sjellim së bashku, nuk mundeni këtë ta bëni veç e veç, tha Martin Kostovski nga radhët e LSDM-së.

“E di që PR-i partisë suaj politike DPMNE është tani që të gjithë të rreshtoheni, duke filluar nga Antonio Milloshoski, Venko Filipçe, Panovski, Venko Filipçe, Panovski, të gjithë do të rreshtoheni. Puna e këtij komisioni nuk i justifikon fare mjetet për  këtë. Mund të thuash çfarë të duash, por nëse të gjithë në mënyrë të bashkuar nuk i votojmë ato konkluzione, nuk mund të caktohet përgjegjësi politike”, pohoi Martin Kostovski, LSDM.

Mirëpo, Kostovski në prezantimin e tij tha se qëndrimi i tij është se Venko Filipçe nuk ka përgjegjësi politike për këtë rast dhe se borxhet e grumbulluara të Klinikës janë për faktin se terapia është shumë e shtrenjtë dhe për shkak të rritjes së numrit të të sëmurëve nga kanceri. Pas përfundimit të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, komisioni tani është në sublimimin e deklaratave dhe analizimin e dokumentacionit të mbledhur, pas çka duhet të sjellë konkluzion.