Të gjithë ata që kanë marrë rrogë nga Komuna e Tetovës dhe nuk kanë shkuar në punë, kryetari aktual Bilall Kasami do të kërkojë që t’i kthejnë paratë. Mbrëmë në Click Plus Kasami tregoi se janë angazhuar avokatë të cilët po përgatisin padi penale kundër administratës së mëparshme për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit komunal.
“Ata të cilët nuk kanë bërë asnjë punë dhe nuk kanë dorëzuar raport të rregullt për punën që e kanë bërë ne do të kërkojmë që t’i kthejnë. Nëse nuk i kthejnë, do të kërkojmë që me gjyq t’i kthejmë dhe për dëmin që i është bërë Komunës së Tetovës ne veç më kemi angazhuar avokat të cilët po përpilojnë edhe lëndën padi penale kundër menaxhmentit paraprak për dëmin që i është bërë buxhetit të komunës së Tetovës dhe qytetarëve tetovarë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Sipas Kasamit 1.1 milionë euro është dëmtuar buxheti i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2021 nga kontratat në vepër që janë nënshkruar nga ish-kryetarja Teuta Arifi.
“Nga 811 kontrata janë 544 persona të angazhuar. Prej këtyre 250 kanë sjell raporte, që i bie diferencë diku 294 të cilët nuk kanë dorëzuar raporte për punën të cilën e kanë bërë. Shumën totale vjetore e cila është 1 milion euro për të gjithë kontratat dhe 100 mijë euro tatim personal i cili paguhet në këtë rast. Shuma diku arrin mbi 1.1 milion euro apo në denar mbi 70 milionë denar në bazë vjetore”, pohoi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Në mesin e atyre që kanë marrë rrogë dhe nuk kanë shkuar në punë ka pasur edhe udhëheqës të sektorëve të cilët janë paguar deri bë 500 euro, tregoi Kasami. Sipas tij janë bërë edhe shumë parregullsi. Pohoi se një i punësuar ka në hyrje ka evidentuar më shumë kartela të kolegëve të tjerë kinse kanë ardhur në punë. Kasami tregoi se me para të komunës janë blerë telefona Samsung dhe iPhone me vlerë 1000€, e që tani nuk dihet se ku janë.
