“Ata nuk ishin atje për ne”, Trump: Marrëdhënia me NATO-n nuk është reciproke

TË FUNDIT

Vetëm pak ditë para samitit të NATO-s në Ankara, shefi i Shtëpisë së Bardhë riktheu në vëmendje marrëdhënien e tendosur me Aleancën, duke thënë se marrëdhënia nuk është reciproke.

“Qesharake që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë në këtë rrugë një-kahëshe, kur marrëdhënia nuk është reciproke. Ata nuk ishin atje për ne”.

Postimi i presidentit përfshin edhe një grafik që tregon shumën e shpenzimeve të NATO-s, me SHBA-në që investonte shumë më tepër sesa disa shtete të tjera anëtare të përmendura: Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe Poloninë.

Presidenti Trump vazhdon të jetë i indinjuar që disa vende evropiane kufizuan përdorimin e bazave dhe hapësirës së tyre ajrore për forcat amerikane gjatë luftës kundër Iranit.

Po ashtu, Trump ka këmbëngulur që Evropa duhet të marrë rolin udhëheqës për mbrojtjen e vet dhe, nën presionin e administratës amerikane, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord vitin e kaluar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje me 5%.

Por, Trump ka kërcënuar edhe me largimin e SHBA nga NATO. Megjithatë, një ligj i miratuar nga Kongresi në vitin 2023 e ndalon presidentin të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga Aleanca, duke kërkuar miratimin e dy të tretave të Senatit ose një akt të Kongresit.

Megjithatë, disa ekspertë ligjorë theksojnë se presidenti mund të përdorë kompetencat e tij ekzekutive për të dobësuar angazhimin e SHBA-së në NATO.