Aleanca për Shqiptarët akuzon drejtorin e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” se edhe pas një muaji nga fillimi i sezonit të ngrohjes, nxënësit e kësaj shkolle mësojnë në klasa të ftohta. Denis Aliti, kryetar i degës së ASh-së në Zhelinë thotë se orët e para në mëngjes dhe orët e fundit pasdite, janë të papërballueshme për shkak të temperaturave të ulëta.
“Ditëve të fundit gjendja po bëhet edhe më e rëndë për shkak të shkurtimit të ditës, ku si pasojë orët e para të ndërrimit të paradites dhe orët e fundit të ndërrimit të pasdites po bëhen të papërballueshme. Kjo që po ndodh rrezikon grupmoshat më të ndjeshme dhe duhet të paraqesë alarm urgjent për të gjithë. U bëjmë thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë urgjentisht për të siguruar ngrohjen për nxënësit e Zhelinës, pasi që në mungesë të kushteve elementare vështirësohet edhe procesi edukativo arsimor.”- deklaroi Denis Aliti, kryetar i degës së ASH-së në Zhelinë.
Liman Xhaferi, drejtor i shkollës fillore “Luigj Gurakuqi”, thotë se shkolla ka naftë për ngrohje por për shkak të temperaturave dhe për shkak të rekomandimeve për kursim, nuk e kanë parë të nevojshme që të ndezin ngrohjen qendrore.
“Deri sa kemi restrikcione nga Qeveria që të kursejmë energji dhe koha na ka ndihmuar që ka qenë e ngrohtë dhe nuk i kemi ndezur deri më tash, por kur do e shohim se ka nevojë ne do të jemi të gatshëm edhe që t’i ndezim. Në bazë të asaj dhe të jetë nën 15 gradë Celsius që të ndezim koftorët gjegjësisht nxehja qendrore, ja këtu ne Zhelinë ne akoma si kemi ndezur por në Leshnicë të epërme i kemi ndezur se atje është më ftohët.”- pohoi Liman Xhaferi, drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi”.
Në shkollën qendrore të Zhelinës mësojnë rreth 450 nxënës, ndërsa muaj më parë komunat e rajonit të Pollogut për shkaka të rritjes së çmimit të naftës dhe rrymës, kërkuan që dy muaj gjatë dimrit të jenë pushim vjetor për të kursyer energji.
