Aplikacioni për regjistrimin e diasporës ka anomali dhe pengesa të shumta, prandaj mërgimtarët nuk mund të regjistrohen, tha Bujare Abazi nga Aleanca për shqiptarët. Sipas saj, kohëzgjatja e regjistrimit është një proces shumë i ndërlikuar dhe problemet sistematike ndikojnë në demotivimin e qytetarëve tanë për t’u regjistruar.
“Si problem paraqitet adresa elektronike sepse aplikuesi duhet të presë nga 5 deri 10 orë për të marrë kodin e veçantë, por ndodh që edhe fare mos ta marrë. Kjo është arsyeja që shumë qytetarë tanë pas 3 ose 4 tentimeve heqin dorë nga regjistrimi. Gjithashtu, ka edhe raste kur përkatësia etnike dhe fetare përzihen.”, tha Bujare Abazi nga Aleanca për Shqiptarët.
Por, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konsideron se regjistrimi do të jetë i suksesshëm, duke shtuar se numri i mërgimtarëve të regjistruar është mbi 30.000.
“Mendoj që të tëra ekipet janë në nivel të detyrës. Mendoj që kjo do të jetë një ndërmarrje mjaftë e suksesshme”, tha Ahmeti.
Por, pas rritjes së numrit të të infektuarve, shtrohet pyetja – nëse regjistrimi do të shtyhet? Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se nuk ka indikacione për anulim të regjistrimit, por megjithatë nuk e përjashton mundësinë e tillë.
“Tani për tani nuk ka indikacione se duhet bërë diçka, por nuk përjashtohet kjo mundësi.”, deklaroi Filipçe.
Nga ana tjetër, njeriu i parë i Entit për Statistikë, Apostoll Simovski, dje deklaroi se nuk e hedh poshtë mundësinë për shtyrje të regjistrimit, në qoftë se ka rritje të numrit të të infektuarve, pasi, siç shpjegoi, nuk duan të jenë arsye për përhapje të koronavirusit.
“Komisioni për sëmundje ngjitëse e ndjek gjendjen në bazë ditore, nëse mos dashtë Zoti situata vjen, ndërsa Komisioni sjell konkluzion të tillë, ne do ta respektojmë këtë. Nuk do të lejojmë që askush të jetë në rrezik dhe të jemi arsye shtesë për përhapjen e virusit.”, tha Simovski.
Edhe Kisha Ortodokse Maqedonase kërkon shtyrje të regjistrimit, duke thënë se shëndeti i besimtarëve është gjëja më e rëndësishme. Prej atje shtojnë se vendi duhet ta shtyjë regjistrimin, siç kanë bërë edhe disa vende të tjera, shkaku i rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.VMRO-DPMNE, edhe para se të sillet Ligji, ishte kundër zbatimit të këtij procesi. Por, pushteti me qëndrim se regjistrimi nuk duhet të shtyhet, sepse protokollet që janë miratuar i mbrojnë qytetarët nga përhapja e virusit. Ndryshe, regjistrimi në Kroaci, i cili duhej të mbahej në prill, do të shtyhet për shkak të situatës epidemiologjike në vend.
