ASH-ja nuk hedh poshtë hyrjen në qeveri/ Taravari pas takimit me Kovaçevskin: Sot nuk patëm ofertë!

TË FUNDIT

Kësaj here nuk u bë, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë. Nga takimi i sotëm mes kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe u.d kryetar i ASh-së, Arben Taravari pritej ofertë ndaj ASH-së për të hyrë në Qeveri, kjo gjë nuk ndodhi. Taravari tha se temë e takimit ishin reformat europiane dhe lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Konstatuam se rruga europiane e Maqedonisë patjetër të vazhdojë dhe natyrisht ne si Aleancë për Shqiptarët e mbajmë atë qëndrim se do të jemi ndihmës të këtij procesi me qëllim që sa më shpejt të ecë ky proces. Gjithashtu e biseduam edhe luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, e cila fatkeqësisht është gati se e falimentuar në Maqedoni”- deklaroi Arben Taravari, u.d kryetar i ASH-së

Taravari nuk hedh poshtë mundësinë për të qenë pjesë e Qeverisë, megjithatë thotë se do të kenë vijat e tyre të kuqë, të cilat janë të përfshira në një paket masash të cilat do t’i prezantojnë kur të do që të ketë ofertë për hyrje në Qeveri.

ARBEN TARAVARI, U.D KRYETAR I ASh-së
03.03- 28 / “Është e vërtetë se praktikisht qeveria është në kuartalin e fundit të funksionimit të saj. Unë mendoj se është debati cili duhet të zhvillohet brenda partisë. Ka gjëra për të cilat ndoshta duhet ta marrësh guximin për të marrë përgjegjësi dhe ka gjëra për të cilat ndoshta nuk duhet ta marrësh rrezikun për të humbur votues të papërcaktuar. Kështu që ky duhet të jetë debat i brendshëm partiak”

Edhe nga Qeveria pohojnë se temë diskutimi ka qenë rrugëtimi i vendit drejt BE-së.

“Ky takim është një nga sërë takimesh që kryetari i Qeverisë, Kovaçevski do t’i zhvillojë në periudhën e ardhshme me kryetarët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, dhe të cilat kanë të bëjnë me bisedat thelbësore lidhur me të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.”- thanë nga qeveria e RMV-së.

Sipas informacioneve jozyrtare flitet se ASh është në diskutim për 3 ministri, ndërsa si opsion për të zgjedhur ka ministrinë së Shëndetësisë, të Bujqësisë, Ekologjisë, Drejtësisë dhe Administratë-Informatikës. Në negociata janë të përfshira edhe disa poste drejtorësh dhe zv/ministra. Megjithatë, vlen të theksohet se edhe me përfshirjen eventuale të ASH-së në Qeveri, pushteti prapëseprapë nuk e siguron numrin e nevojshëm prej 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese.