Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa akuzon Qeverinë LSDM-BDI se kurdisin tenderë për kompaninë “Pucko Petrol” e cila bën furnizimin e institucioneve shtetërore me lëndë djegëse. Nga komuna e Tetovës, “Pucko Petrol” ka marrë mbi 22 milionë denarë, ndërsa në Çair 15 milionë denarë.
“Lidhja e politikës me oligarkët duket të jete shumë e qartë, deputeti i BDI-së Ismail Jahoski djali i të cilit ka kompaninë “Pucko Petrol” nga janari i vitit 2020 me tenderë për furnizime me naftë dhe lëndë djegëse ka përfituar mbi 31 milionë euro, nga institucione të ndryshme qendrore dhe lokale, ndër ta mbi 2 milionë euro vetëm nga komunat që qeverisen nga Bashkimi Demokratik për integrim”, tha Ajdini.
Por në furnizimet publike mund të shihet se kjo kompani ka fituar tenderë edhe nga komuna e Gostivarit ku aktualisht po udhëhiqet nga ASh.
TV21 kërkoi qëndrim nga deputeti Jahoski i cili i hedh poshtë akuzat e bëra nga partia opozitare. Ai thotë se nuk ka asnjë funksion në kompaninë “Pucko Petrol”.
“Unë nuk kam asnjë funksion në kompaninë “Pucko Petrol”. Kjo kompani i furnizon me lëndë djegëse të gjitha institucionet shtetërore pa marrë parasysh nga cila parti udhëhiqen. I demantoj të gjitha akuza të bëra lidhshmërinë time me kompaninë dhe marrjen e tenderëve nga institucionet”, deklaroi Jahoski.
Ndryshe ASh-AAA paralajmëroi se ditëve në vijim do të dërgojë parashtresë deri te Komisioni Shtetëror për luftë kundër korrupsionit si dhe në Prokurori, për të hulumtuar marrjen e tenderëve nga kompania “Pucko Petrol” në pothuajse te të gjitha institucionet shtetërore.
