Koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Skender Rexhepi – Zejdi ka dalë me ofertë të re për propozim-Ligjin për shtetësi.
Kërkojnë që shumica të dorëzojë propozim-Ligjin e tyre dhe i njëjti të harmonizohet me propozim-Ligjin për shtetësi që u dorëzua nga ASH-AAA-ja.
Zejdi deklaroi, se ky koalicion është i interesuar për zhbllokim të Ligjit për pakon e 5 ekonomike, por thotë se duan që përfitimet nga kjo pako t’i ndjejnë edhe qytetarët që për 30 vjet nuk i shfrytëzuan shërbimet mjekësore dhe ekonomike.
“Sot në koordinim dolëm me një kërkesë krejtësisht të re. Unë si koordinator dola me propozimin, duke ju thënë se ne jemi të interesuar që qytetarët të fitojnë nga pakot ekonomike, pasi që është interes edhe i tyre edhe i të gjithë qytetarëve, por gjithashtu jemi shumë të interesuar që qytetarët që nga pakot ekonomike, sociale, shëndetësore të përfitojnë edhe ajo kategori e qytetarëve që nuk kanë fituar plot 30 vjet. Prandaj, për zhbllokimin e Kuvendit, pasi shumica në deklarata televizive vazhdimisht thonë se kanë edhe ata propozim ligj për shtetësi, unë u bëra thirrje publike në koordinim, le ta sjellin propozim-Ligjin që e kanë ato. Nëse vërtetë e kanë, dhe propozimin tonë t’i harmonizojmë, në një propozim ligj të përbashkët. Hasa në vesh të shurdhër te shumica”, tha Zejdi në Kuvend, transmeton TV21.
Ai ka dërguar kritika deri te shumica, për siç thotë, sepse “shumica është duke e bllokuar veten, pasi nuk janë të gatshëm të gjejnë një zgjidhje të përbashkët”.
