Asgjë nga premtimet, vetëm Qoseton dëshiron ta kthejë! Selimi: Pseudopatriotizëm nga politikanë të paaftë

TË FUNDIT

Gjatë fushatës dha shumë premtime për modernizimin e Shkupit. Ja edhe disa prej tyre:

“Projekti transport publik falas për të gjithë si zgjidhje për rregullimin e kaosit në komunikacion, 250 autobusë ekologjik për transport ekologjik dhe të denjë, pesë mega parqe të reja në Gazi Babë, Çair, Aerodrom, Kisella Vodë dhe Gjorçe Petrov, të gjithë sipas shembullit të parkut të qytetit, lehtë të qasshëm, pajisje urbane, zona sportive dhe shtigje për këmbësor, pesë bulevarde të reja”, tha Danella Arsovska – kryetare e Qytetit të Shkupit.

Megjithëse asgjë nga këto ende nuk është përmbushur kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska ka nisur një procedurë krejt tjetër. Ajo ka dorëzuar iniciativë në Këshillin e Qytetit të Shkupit për rivendosjen e bustit të Andon Lazov Janev – Qoseto. Përmendorja, siç thonë nga Qyteti i Shkupit, do të ketë lokacion të ri, i cili do të vendoset në udhëkryqin mes bulevardit “Aleksandar Makedonski” dhe bulevardit “Bellasica”.

“Nuk do të lejojmë që përmendorja e revolucionarit maqedonas të ndryshket nëpër depo, prandaj apelojmë që kjo pikë të futet në rend dite në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe të votohet menjëherë. Kjo është një mënyrë tjetër për të korrigjuar padrejtësinë dhe për t’u shpërblyer njerëzve që dhanë jetën për Republikën e pavarur dhe sovrane të Maqedonisë, për të kujtuar dhe nderuar heronjtë, asnjëri prej të cilëve nuk duhet të harrohet”, deklaroi Danella Arsovska – kryetare e Qytetit të Shkupit.

Qoseto apo i njohur si Kasapi konsiderohet personalitet kontrovers historik i cili më parë ka shkaktuar shumë pakënaqësi, ndërsa riaktualizimi i temës sërish shkaktoi shumë reagime në opinion.

“Pra, perspektiva e BE-së e RMV-së ende nuk është bllokuar përfundimisht, këto tema po bëhen gjithnjë e më shumë tema kryesore. Ky është një tregues i qartë se me çfarë do të kemi të bëjmë nëse ngecim në baltën e pseudopatriotizmit nga politikanë të paaftë”, pohoi Sefer Selimi – analist politik.

Ky bust u vendos mbrëmjen mes 6 dhe 7 shtator të vitit 2014 përpara Gjykatës Supreme të Shkupit, si pjesë e projektit “Shkupi 2014” dhe si donacion i shoqatës për bashkim shpirtëror të Stinëve, Popadinëve dhe Krushoradëve nga Lerini, për tu larguar më pas mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 2018, ku u dërgua në depot e Fabrikës së Metalit Tito. Monumenti u largua nga shërbimet e Qytetit të Shkupit me urdhër të Komunës Qëndër, pasi inspektorët ndërtimor kishin konstatuar se është ngritur në mënyrë të paligjshme.