“Ndërgjegjen e kam të qetë”. Përmes një statusi në Fejsbuk u prononcua edhe drejtori i shkarkuar i Spitalit të Përgjithshëm të Strugës, mjeku Muhamed Asani. Ai pohon se punën e tij e ka kryer në mënyrë të përgjegjshme.
“Ka qenë operacioni i dytë Cezarian dhe dihet që pasi është kryer më parë një operacion, rreziqet edhe komplikimet shtohen në ndërhyrjen pasardhëse. Pacientes i është shpjeguar procesi i operacionit, rreziqet edhe komplikimet që mund t’i vinin gjatë dhe pas operacionit dhe ajo me vetëdije të plotë i ka pranuar dhe ka nënshkruar për këtë gjë”, tha Muhamed Asani – ish-drejtor i Spitalit të Strugës.
Gjendja e pacientes është komplikuar ditën e pestë pas operacionit. Ka qenë në rrezik jete dhe ka pasur nevojë për ndërhyrje adekuate dhe të shpejtë. Lidhur me akuzat për organet që i janë nxjerrë pacientes nga Dibra, gjinekologu thekson se ajo ka nënshkruar se po pajtohet me operacion cezarian, duke shtuar se veshkën ia kanë hequr kirurgët që e kanë bërë operacionin.
“Pas një pune të jashtëzakonshme, e cila zgjati plot 8 orë, arritëm të shpëtonim jetën e pacientes.
Dua të theksoj dhe sqaroj njëherë e mirë, se gjinekologu NUK HEQ VESHKA. Heqja e veshkës është bërë nga ana e kirurgëve të cilët kanë pasur indikacion për atë veprim, sepse vetëm duke sakrifikuar veshkën kanë pasur mundësinë të ndalojnë hemorragjinë që vinte nga aty”, shtoi më tej Muhamed Asani.
Më pas pacientja është dërguar në Klinikën Intensive për trajtim të mëtejshëm dhe evoluim.
Lidhur me shkarkimin e drejtorit të spitalit të Strugës, me reagim doli edhe zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, Lupço Nikollovski.
“Gjatë periudhës së kaluar isha në koordinim të vazhdueshëm me inspektoratin kompetent, respektivisht me Inspektoratin Shtetëror Sanitar Shëndetësor, i cili menjëherë i ndërmori të gjitha masat që janë nën kompetencat e tij. Inspektorati bëri kontroll të jashtëzakonshëm, dhe pasi konstatoi se në shtëpinë e Asanit ka një ordinancë të paligjshme gjinekologjike, menjëherë i ka dhënë vendim për ndalesë të kryerjes së veprimtarisë shëndetësore”, theksoi Lupço Nikollovski – zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Është ngritur edhe kallëzim për përgjegjësi penale në Prokurorinë Publike Themelore të Strugës dhe për momentin po zhvillohet procedurë hetimore.
Ndryshe, lehona nga Dibra, e cila është infermiere, akuzon se nga operacioni ka dalë pa mitër, veshkë dhe një vezore. Pohon se për këtë ka mësuar pasi ka bërë kontroll shtesë në një klinikë private.
