Një dhomë e vogël e cila aspak nuk i plotëson kushtet elementare për jetë.
Nuk kanë as ushqim për të ngrënë.
Mbijetojnë me pakot e ndihmave që i marrin.
Svetllana Gashi dhe Nevzat Elmazi nga Saraji i Shkupit, bashkë me vajzën e tyre të vogël jetojnë në këtë shtëpi e cila nuk është e tyre por ua ka lëshuar një mik që të mos mbeten në rrugë gjatë dimrit.
Kryefamiljari Nevzati thotë se është i sëmurë nga epilepsia dhe nuk mund të punojë.
Edhe Svetllana thotë se nuk mund të fillojë me punë, pasi siç u shpreh, nuk ka kush të kujdeset për vajzën e vogël. Ata thonë se më herët kanë marrë ndihmë sociale, por tani ua kanë ndërprerë.
“Kjo shtëpia është e një shokut të tij. Na lejoi këtë dimër që të mos mbetemi jashtë, deri sa ta shohim punën tek sociali çfarë do të bëhet.
Vetëm prej socialit po kërkoni ndihmë?
Ne jemi lajmëruar çdo kund, por ende s’kemi… Kryqi i kuq na ka sjellë ushqime për të ngrënë për të pirë, veshje, jorganë, ilaçe na kanë sjellë që jemi të sëmurë.
Të ardhura mujore a keni?
Jo asgjë, katastrofë.”
Nevzati thotë se kur merrnin ndihmë sociale kanë jetuar më mirë, dhe paguanin qiranë e shtëpisë.
“Unë konkretisht kërkoj ndihmë nga shteti të më akomodojë diku.
Deri kur do të jetosh këtu?
Deri sa ta zgjidh punën të jetojmë normalisht. Kjo kështu është me të vërtetë është.. nuk kemi as banjë asgjë.”
Pyetëm në Qendrën Sociale se pse ua kanë ndërprerë ndihmën sociale, por nga atje na thanë se do e kontaktojnë personin në fjalë dhe do t’i sqarohet procedura.
“Do e kontaktojnë personin në fjalë dhe do i sqarohet procedura që do të udhëhiqet, me shumë gjasa do të jenë vendime pozitive. Edhe pse iu është sqaruar gjithë procedura, Mirëpo si duket bëhet fjalë për një person me tendenca konflikti, kështu që ka informacione se çka do të ndodhë, dhe si ka ndodhur me lëndën.”- thonë nga Qendra Sociale.
Ndryshe kjo familje e cila apelon per ndihme, gjendet në Saraj afër poliklinikës së re.
