Mickoski: BE-ja e ka kuptuar se disa vende e keqpërdorin anëtarësimin, prandaj vjen propozimi që të mos ketë veto në fillim të negociatave me kandidatët

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski konsideron se Bashkimi Evropian e ka kuptuar se disa prej vendeve anëtare e keqpërdorin anëtarësimin e tyre në Union për të zgjidhur çështje që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat evropiane, përcjell TV21. Sipas tij, rezultat i kësaj është propozimi i Komisionit Evropian drejtuar Këshillit që të hiqet e drejta e vetos gjatë negociatave të anëtarësimit, ndërsa ajo të mbetet vetëm në momentin e vetë anëtarësimit.

Kjo, sipas kryeministrit, është një mundësi e madhe, sepse, siç tha ai, Maqedonia tashmë i plotëson dy nga tre kushtet për integrimin gradual, që është pjesë e propozimit, ndërsa për të tretin, i cili lidhet me reformat dhe është i veçantë për secilin vend, do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta përmbushur sa më shpejt.

“Është e qartë se atje është kuptuar situata, se disa prej vendeve anëtare e keqpërdorin anëtarësimin e tyre në kuadër të Bashkimit Evropian dhe përpiqen të dalin jashtë kornizave të qasjes së anëtarësimit të bazuar në merita, pra të anëtarësimit sipas meritës, dhe përpiqen përmes anëtarësimit të tyre atje të zgjidhin disa çështje që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat evropiane. Kjo është kuptuar dhe unë, nëse ju kujtohet, dhashë një deklaratë të tillë kur isha në qershor në Tivat, pas takimeve me kancelarin gjerman Merz dhe presidentin francez Macron. Ajo që inkurajon është integrimi gradual, përkatësisht progresiv, në të cilin ne si vend do të kemi mundësi të mëdha, sepse në thelb, kur të analizoni dhe përmblidhni gjithçka, do të arrini në përfundimin se do të duhet të përmbushen tre kushte që të fillojë procesi i integrimit gradual”, tha Mickoski.

Ai sqaroi se kushti i parë do të jetë specifik për secilin shtet dhe do të lidhet me reforma të caktuara që shteti duhet t’i zbatojë, për të cilat ende duhet të arrihet dakordim.

“Kushti i dytë është që vendi të ketë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes, diçka që, siç tha edhe presidentja Von der Leyen, ne si shtet e kemi bërë të parët dhe tashmë e kemi harmonizuar. Dhe kushti i tretë është në pjesën e sistemit të prokurimeve publike, një reformë të cilën ne gjatë javës së ardhshme do ta përfundojmë dhe do ta miratojmë në kuadër të Parlamentit. Pra, nga tre kushtet, dy i kemi përmbushur, ndërsa për të parin presim të shohim se çfarë do të na dorëzohet neve si shtet nga vetë Komisioni Evropian. Ne do të bëjmë gjithçka për ta përmbushur këtë dhe që të fillojë integrimi gradual, përkatësisht integrimi në tregun e përbashkët e kështu me radhë. Atje kemi disa pozicione ku jemi shumë të interesuar si shtet të kemi qasje”, theksoi kryeministri Mickoski.

Sipas tij, është e qartë se nga vendet anëtare është kuptuar ajo që disa prej vendeve anëtare po bëjnë brenda Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye po përpiqen, përmes një manovre të tillë, t’u mundësojnë vendeve kandidate të arrijnë në fazën për të qenë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Dhe kjo është shumë e ngjashme me atë që ne themi kur bëhet fjalë për ndryshimin e Kushtetutës – që ai ndryshim praktikisht të bëhet i zbatueshëm atëherë kur ne t’i përfundojmë negociatat”, tha Mickoski.