Vetëm pak veta e dinë se ai është një ish-basketbollist profesionist, ndaj edhe dje u shfaq me atlete në ngjyrat e Bashkimit Europian. Artisti 60-vjeçar Edi Rama solli në Tiranë 40 krerët e shteteve që morën pjesë në Samitin e gjashtë të komunitetit politik europian.
Si prezantues ceremonial, i vetëm në tepihun e kuq, në ditët e para të mandatit të tij të katërt si kryeministër, kryeministri socialist priti secilin lider me krahë hapur.
Kur kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni u shfaq në tepihun e kuq, ai u gjunjëzua para “motrës së tij”, siç e quan ai.
-Ai e bën këtë vetëm që të jetë i gjatë sa unë.
Me presidentin ukrainas Vollodimir Zelenski, i veshur krejtësisht me të zeza, ai ecte shpejt, duke e shoqëruar deri te dera e Shtëpisë së operës.
Presidenti francez, Emanuel Makron, e krijoi këtë samit tre vite më parë, pas fillimit të luftës në Ukrainë. Në të marrin pjesë të gjitha shtetet e Europës, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë.
-Ja mbreti Diell.
Ulur krah për krah në Shtëpinë e operës, liderët shijuan muzikën tradicionale dhe ndoqën vallëzime. Salla shpërtheu në të qeshura kur në ekran u shfaqën imazhe të liderëve si foshnja.
-Mirë se vini në Tiranë.
Diskutimet u zhvilluan në Shtëpinë e Europës, një tendë e madhe e ngritur në sheshin kryesor të Tiranës, e dekoruar me vizatime fëmijësh që paraqesin “ëndrrat europiane të Shqipërisë”.
“Fillimisht, duhet të ndaj një informacion delikat. Fillimisht ishte vetëm dyshim, por tani është dëshmuar shkencërisht. Nga Instituti Europian për parashikimin e motit kemi marrë konfirmimin se shiu këmbëngulës dhe i pazakontë është sjellë nga delegacioni britanik. Më vjen keq. Kur largoheni nga Europa, gjithmonë qani”, tha Edi Rama, Kryeministër I Shqipërisë.
Edhe pse samiti pritej të mbetet nën hije për shkak të negociatave në Stamboll mes Ukrainës dhe Rusisë, megjithatë zgjerimi nuk u la pas dore. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Rama bëri fushatë me një yll të kuq si flamuri i Shqipërisë dhe një yll blu e të verdhë si ai i BE-së.
A mund të ndani me ne se çfarë u diskutua lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, veçanërisht për Shqipërinë? Sepse, siç tha edhe vetë kryeministri Rama, kemi pritur gjatë të martohemi me BE-në.
-Nuk u martuam sot, shtoi Rama.
“Nga perspektiva europiane, ne mund të zgjerohemi, por ky proces duhet të bazohet në meritokraci”, tha Mete Frederiksen, Kryeministre e Danimarkës.
Në vitet 1990, Rama u shpërngul në Paris ku siguronte jetesën duke shitur piktura artistike të tij. Në vitin 1998, u kthye për funeralin e babait dhe iu ofrua posti i Ministrit të Kulturës dhe që aty nisi karriera e tij politike. Gati 30 vjet më vonë, ai u premtoi qytetarëve se Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së deri në vitin 2030.
-Ky Samit tregoi se Ballkani mbetet një vend për takime të rëndësishme diplomatike. Jovica Paunoski, TV21, Tiranë, Shqipëri.
