Arsovska: Qeveria të mbajë përgjegjësi! LSDM: Qyteti nuk ka të holla për ngrohje, por ka për punësime partiake

TË FUNDIT

Danella Arsovska mbrëmë në emisionin “Clik Plus” kërkoi që Qeveria të mbajë përgjegjësi për mungesën e ngrohjes qendrore në Shkup. Duhet të mendohet në kohë se çka do të vijojë. Tani nuk mund të themi se fajet i ka dikush tjetër. Kjo nuk është lojë. Dihet kush i ka kompetencat dhe kush duhet të ndihmojë në këtë situatë. Vetëm qytetarët do të humbin. Ai që e ka pushtetin, duhet ta marrë përsipër përgjegjësinë, shton Arsovska.

“Përgjegjësinë duhet ta mbajë Qeveria sepse nuk e ka zgjidhur situatën kur kishte mundësi. Nuk ka menduar se çfarë pasojash mund të sillte rritja e energjencave në bursat botërore. Këtë, vendet e tjera e bënë nga 1 deri më 15 shtator dhe kishin strategji të përgatitura“, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Nga LSDM-ja në pushtet sot përmes një kumtese e akuzuan Arsovskën dhe kryetarët e komunave të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, duke thënë se nuk kanë të holla për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve për ngrohjen qendrore, po nga ana tjetër kanë para për punësime partiake.


“Arsovska pohon se Qyteti nuk ka pasur të holla që të përfshihet në subvencionimin e çmimit të energjisë për ngrohje. Qeveria do të mbulojë 80% e dallimit mes çmimit real dhe aktual të ngrohjes qendrore, kurse 20% do të mbulohen nga Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të Qytetit. Është evidente se Arsovska nuk planifikon të japë të holla me qëllim që shkupjanët të mos paguajnë fatura më të larta për ngrohje qendrore, kurse këtë vit do të shpenzojë
670.000 euro për 109 punësime të kuadrove të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit”, thonë nga LSDM.

Por, nga Qyteti i Shkupit thonë se janë të rreme informacionet që i përhap partia në pushtet, duke shtuar se bëhet fjalë për vazhdim të marrëveshjeve të personave tashmë të angazhuar në qytet. Arsovska pret bashkëpunim mes pushtetit qendror dhe lokal për realizim të projekteve kapitale.

 “Programi im kryesisht bazohet në atë se të gjitha projektet kapitale duhet të bëhen në bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe qendror, kjo është e pashmangshme. Nëse ky bashkëpunim nuk ekziston, atëherë nuk do të realizohen projektet që janë me interes edhe për pushtetin lokal, edhe për pushtetin qendror”, pohoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Në qoftë se interesi i qytetarëve është prioritet për kryeministrin e ri, atëherë pres të kemi bashkëpunim, përfundoi Arsovska.

MARKETING I PAGUAR POLITIK