Të premten e javës së kaluar Danella Arsovska me ekipin e saj ishte në QT Çairçanja në Cair, për të inspektuar terrenin për fillimin e garazheve në kate, mirëpo afër saj nuk u panë përfaqësues nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët e mbështetën në zgjedhjen e saj për kryetare të Shkupit.
TV21 pyeti Arsovskën se pse në atë ngjarje nuk ishte as nënkryetarja e Shkupit Bujar Abazi por as Zudi Koka.
“Do të jenë kur të vije radha pra. Për inspektim unë them, nuk premë asnjë shirit, as nuk prezantuam ndonjë projekt. Ne ishim për t’i parë kushtet të cilat për momentin janë në terren dhe të detektojmë të gjithë atë të cilën e kemi vendosur në program se në cilën mënyrë duhet të implementohet“, tha Danella Arsovska, Kryetarja e Qytetit të Shkupit.
Arsovska shtoi se në ditët në vazhdim të gjithë do të jenë të informuar se kur do të fillojë dokumentacioni i projektit dhe atëherë aty do të jenë të gjithë palët e interesuara.
Nga Aleanca për Shqiptarë për TV 21 theksuan se ndërtimi i parkingjeve nëntokësore dhe garazheve në kate në Çair ishte dhe pjesë e programit të tyre dhe se programi qeverisës në qytetin e Shkupit është sjell bashkërisht. Por sipas tyre agjenda e ngjeshur bën që ata të mos jenë pjesë e aktiviteteve ndonjëherë.
“Për shkak agjendës së ngjeshur të aktiviteteve, shpesh ndodh që kryetarja dhe nënkryetarja e qytetit të mos jenë bashkë në çdo aktivitet, por vendimet dhe punët bëhen bashkërisht. Për ne nuk janë me rëndësi fotografimet dhe defilimet, por jetësimi i projekteve të cilat duhet ti gëzojnë qytetarët dhe që ju kanë munguar me dekada”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndryshe, Arsovska te premten kishte paralajmëruar ndërtimin e garazheve në kate për të shtuar numrin parkingjeve në këtë pjesë të qytetit me çka do të zgjedh problemin shumëvjeçar për mungesën e hapësirave për parkim.
