Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një bebe shtatëmuajsh dhe një vajzë adoleshente nga rrënojat të dielën, pothuajse një javë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë dhe Sirinë dhe që lanë të vdekur mbi 28.000 persona.
Shefi për ndihmë i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, tha se ai pret që numri i viktimave të dyfishohet. Këto komente ai i bëri gjatë të shtunës, pasi arriti në Turqi për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmetet.
Dhjetëra mijëra punëtorë të shpëtimit po vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë rrënduar gjendjen e milionave personave që tani kanë nevojë për ndihmë.
Për shkaqe sigurie, disa operacione të ndihmës janë pezulluar dhe dhjetëra persona janë arrestuar për shkak të plaçkitjeve apo tentimit për të mashtruar viktimat pas tërmeteve në Turqi, ka raportuar media shtetërore.
Por, në gjithë këtë situatë të rënduar, ende po shpëtohen persona nga rrënojat.
“A ka botë këtu?”, pyeti 70-vjeçarja Menekse Tabak kur u nxor nga rrënojat në qytetin jugor të Kahramanmarashit – epiqendra e tërmetit prej 7.8 ballësh që goditi vendin të hënën.
Pothuajse 26 milionë persona janë prekur nga tërmetet, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ajo bëri një apel të ri të shtunën për 42.8 milionë dollarë për t’u përballur me nevojat e menjëhershme shëndetësore.
OBSH-ja paralajmëroi se dhjetëra spitale janë dëmtuar.
Agjencia turke e fatkeqësive tha se mbi 32.000 persona nga organizatat turke po punojnë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Po ashtu, në këtë shtet janë edhe 8.294 shpëtimtarë ndërkombëtarë.
Restorantet po punojnë në qytetin e Gaziantepit së bashku me mijëra vullnetarë, për të ndihmuar që të ushqehen banorët.
“Kolegët tanë janë në situatë të keqe. Familjarët e tyre janë viktima dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar”, tha Burhan Cagdas, pronar i një restoranti që po jep deri në 4.000 vakte ushqimore falas në ditë, që kur ndodhi tragjedia.
Familjarët e tij po flenë në makina që nga e hëna në qytetin ku kanë vdekur të paktën 2.000 persona dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë detyruar të flenë jashtë për shkak se shtëpitë e tyre nuk janë të sigurta.
