Arrihet marrëveshje, nga shtatori paguhet shtesa për infermieret që kanë kryer arsim të lartë

TË FUNDIT

Në takimin e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, drejtorin e Fondit shëndetësor, Faton Ahmetin dhe Stevo Krstevski, kryetarin e Sindikatës për çështje shëndetësore, Lubisha Karanfilovski dhe përfaqësuesit e Shoqatës së motrave medicinale, teknikëve dhe motrave obstetrike, u soll vendimi që nga shtatori i këtij viti, të bëhet pagesa shtesë për personelin me arsim të mesëm, të cilët ndërkohë kanë kryer shkollim sipëror (universitar).

“Fondi për Sigurim Shëndetësor i siguron mjetet e nevojshme për këtë vendim dhe garanton vazhdimin e përkrahjes dhe mbështetjes me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion. Bashkërisht vazhdojmë të përkrahim reformat shëndetësore dhe jetësojmë të njëjtat për të ofruar gamë më të gjerë shërbimesh dhe cilësi maksimale. Koordinimi dhe komunikimi i shëndoshë ndërinstitucional do të vazhdojë me rritëm të lartë gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, ka njoftuar Ahmeti, transmeton TV21.