Shefi i i Drejtorisë doganore të Libanit, Badri Daher, sot dhe zyrtarisht u arrestua pasi u mor në pyetje për shpërthimin shkatërrues të 4 gushtit në të cilin mbetën të vrarë të paktën 180 persona.
Hetimi është përqendruar në përcaktimin se pse rreth 3.000 ton nitrat shpërthyes të amonit u ruajtën në portin e qytetit. Detonimi i këtyre rezervave shkaktoi shpërthim, që tronditi kryeqytetin e Libanit, ku u vranë të paktën 180 njerëz dhe mbetën të lënduar rreth 6.000 të tjerë. Rreth 30 njerëz konsiderohen ende të zhdukur në shpërthimin, i cili shkaktoi 10 miliardë dollarë deri në 15 miliardë dollarë dëme materiale.
Ndërkohë, dolën dokumente që tregojnë se autoritetet libaneze kishin njohuri me vite për rreth 2.750 ton nitrat amoniumi të vendosura në port dhe për rrezikun që paraqiste.
Gjykatësi Fadi Savan kaloi katër orë e gjysmë duke marrë në pyetje shefin e doganave Badri Daher, i cili u arrestua menjëherë pas shpërthimit, pas së cilit u lëshua urdhër arresti. Ai do të mbetet në paraburgim derisa të përfundojë hetimi.
Presidenti libanez Mishel Aun deklaroi që hetimi për shpërthimin ishte kompleks dhe nuk do të përfundonte së shpejti. Ai sqaroi se hetimi është i ndarë në tre pjesë dhe se e para synon të hetojë rrethanat në lidhje me ngarkesën, e dyta të përcaktojë se ku dhe kush e ngarkoi atë dhe e treta të përcaktojë se kush ishte përgjegjës për sigurinë e stoqeve. Aun tha që hetuesit francezë dhe amerikanë po ndihmonin sepse kishin më shumë mundësi sesa libanezët për të zbuluar detajet se përse mbërriti anija me material shpërthyes të lartë, burimin e saj dhe kush e zotëronte atë.
Pas shpërthimit u rritë edhe zemërimi publik që ishte pllakosur më parë për shkak të korrupsionit dhe keqmenaxhimit, duke çuar në dorëheqjen e qeverisë së mbështetur nga Hezbollahu.
